Shkarkimet në kaskadën e Drinit rrisin nivelin e ujërave, rrezik për zonën e Nënshkodrës

Që prej paradites së kësaj të hëne kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet në kaskadën e lumit Drin: Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës.
Korporata Elektroenergjike Shqiptare (KESH) ka njoftuar se si pasojë e shkarkimeve, por edhe prej reshjeve të fundit dhe rritjes së temperaturave, është konstatuar rritje e niveleve të lumenjve Drin dhe Bunë, si dhe të Liqenit të Shkodrës.
Sipas autoriteteve, situata mund të sjellë rritje të mëtejshme të niveleve të ujërave, veçanërisht në territorin e Nënshkodrës, duke shtuar rrezikun për përmbytje në zonat e ulëta.
Në këtë kuadër, banorëve u është bërë thirrje të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes të shtuar në zonat pranë lumenjve, për të minimizuar rrezikun dhe pasojat e mundshme.

