Pas disa orë debatesh, Kosova miraton buxhetin 4 miliard euro

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për buxhetin e vitit 2026, duke i hapur rrugë një shume rekord prej afro 4 miliardë eurosh.
Me 66 vota pro, deputetët kaluan fazën e parë të këtij dokumenti që Ministri i Financave, Hekuran Murati, e konsideroi si një nevojë emergjente për vendin.
Gjatë prezantimit në seancë, Murati sqaroi se pjesa më e madhe e fondeve do të shkojë për subvencione dhe paga, ndërsa premtoi një rishikim të dytë brenda muajit mars.
Megjithatë, opozita u rreshtua kundër, me PDK-n që e cilësoi draftin si një dokument që thjesht mbron gjendjen aktuale pa sjellë zhvillim.
Edhe Lumir Abdixhiku nga LDK-ja shprehu rezerva të forta, duke paralajmëruar rishikim të qëndrimit politik nëse nuk merren parasysh nevojat e kryeqytetit.
Ndërkohë, AAK propozoi bojkot të procesit, pasi sipas tij qeveria nuk ka bërë asnjë ndryshim nga varianti i vitit të kaluar.
Kritika pati edhe nga Lista Serbe për fondet e ndara në veri, por kryeministri Albin Kurti u kundërpërgjigj duke thënë se stabiliteti tashmë është kthyer në progres.
Kreu i qeverisë u kërkoi deputetëve mirëkuptim, duke sqaruar se ndryshimet e thella do të pasqyrohen në seancën e 20 shkurtit, pas prezantimit të plotë të programit të ri.


