RRËFEHET nëna e 17-vjeçares së dh*nuar në Fier: I thanë hajde me ne se kemi një surprizë! Vajza ime jeton me..

Një episod i rëndë dhune mes të miturave është zbardhur në Fier, pasi pamjet e filmuara nga vetë autorët përfunduan në rrjetet sociale. Nën hetim janë një 20-vjeçare dhe dy 15-vjeçare, të dyshuara se kanë dhunuar një 17-vjeçare në banesën e 20-vjeçares, ndërsa njëra prej tyre ka regjistruar të gjithë ngjarjen me telefon.

Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur më 8 qershor. 17-vjeçarja ka kallëzuar se u afrua nga vajzat me premtimin se "kishin një surprizë" për të dhe më pas u dërgua në një banesë, ku u godit fizikisht. Për këtë arsye, mes veprave penale që po hetohen është edhe heqja e paligjshme e lirisë, e kryer në bashkëpunim.

Tre vajzat kanë pranuar përballë hetuesve se kanë ushtruar dhunë ndaj 17-vjeçares, ndërsa motivet e dhëna prej tyre janë vlerësuar nga grupi hetimor si të dobëta.

Ngjarja u bë publike vetëm pasi videoja nisi të qarkullojë në rrjetet sociale. Për shkak se në të përfshihen të mitur, pamjet nuk janë publikuar nga mediat për të mbrojtur identitetin e viktimës.

Nëna e 17-vjeçares rrëfen se vajza u kthye në shtëpi me shenja dhune, por fillimisht u përpoq ta fshihte atë që kishte ndodhur. Vetëm pas insistimit të familjes, ajo tregoi se ishte dhunuar nga tre vajza dhe së bashku shkuan në polici për të bërë kallëzimin.

Familjarët thonë se 17-vjeçarja vazhdon të jetë e traumatizuar dhe jeton me frikë pas ngjarjes, ndërsa videoja e dhunës është bërë virale pa dijeninë e saj.

Ndërkohë, prindërit e njërës prej 15-vjeçareve kërkuan falje publike për ngjarjen. Ata thanë se vajza e tyre ishte diagnostikuar rreth tre muaj më parë me probleme të shëndetit mendor dhe se familja kishte kërkuar ndihmë për trajtimin e saj, duke pranuar se kjo nuk justifikon veprimet e kryera.

Nga dokumentet mjekësore rezulton se e mitura ishte trajtuar në Psikiatrinë e Fëmijëve dhe Adoleshentëve gjatë muajit maj për sjellje të dhunshme në familje. Raporti përmend se ajo nuk frekuentonte shkollën prej rreth një viti, shfaqte agresivitet ndaj nënës dhe ishte larguar nga spitali kundër këshillës së mjekëve.

Autoritetet bëjnë me dije se 20 ditë pas dhunimit të 17-vjeçares, e njëjta 15-vjeçare dyshohet se ushtroi dhunë edhe ndaj nënës së saj. Pas kallëzimit, ajo u arrestua dhe, mbi bazën e vlerësimit të institucioneve kompetente, u dërgua për trajtim në një institucion të specializuar të shëndetit mendor në Tiranë.

Policia dhe Prokuroria e Fierit vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Në të njëjtën kohë, autoritetet rikujtojnë se çdo person prezumohet i pafajshëm derisa fajësia të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.

EMISIONET