"Parlamenti mblidhet për koncertin, jo për zjarret"/ Rrumbullaku: Ky është përdorim i gabuar i aktit normativ

Pedagogu Olti Rrumbullaku, i ftuar në emisionin "Ora e Betit" në Ora News, komentoi aktin normativ të qeverisë për financimin e koncertit, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si po përdoren fondet publike dhe procedurat e ndjekura për miratimin e tyre.

Sipas Rrumbullakut, qeveria ka zgjedhur aktin normativ për të kaluar fondet, pasi një procedurë e zakonshme do të kalonte në disa institucione dhe do t'i nënshtrohej më shumë kontrollit administrativ.

"Qeveria e ka kuptuar që opinioni publik nuk është më i përgjumur. Nëse këto 4-5 milionë euro do të kalonin përmes procedurave normale, dokumentet do të shqyrtoheshin nga Ministria e Financave, Ministria e Kulturës dhe Dega e Thesarit. Kjo nuk mund të fshihej në muajt në vijim."-tha ai.

Ai u shpreh se, sipas vlerësimit të tij, edhe bizneset që më parë mund të mbështesnin aktivitete të tilla nuk janë më të gatshme të përfshihen në pagesa informale për shkak të klimës së krijuar.

Rrumbullaku e krahasoi përdorimin e aktit normativ me një masë të tepruar për një çështje që, sipas tij, nuk përbën emergjencë.

"Akti normativ është si të përdorësh një tank për të ndjekur një hajdut. Tani pritet që parlamenti të mblidhet për ta miratuar, ndërsa krijohet përshtypja se koncerti është emergjencë, kur zjarret dhe fatkeqësitë natyrore mund të presin."-shtoi ai.

Ai shtoi se reagimet publike kundër këtij vendimi kanë qenë të shumta dhe se mbetet për t'u parë qëndrimi që do të mbajnë deputetët gjatë shqyrtimit të aktit normativ në Kuvend.

Pedagogu tha se, sipas kontakteve që ka në administratën publike, edhe brenda institucioneve ekziston kujdes më i madh për mënyrën se si po përdoren procedurat dhe fondet publike.

 

EMISIONET