Xhemalaj: Presion ndaj diasporës dhe protestës, pushteti po përdor çdo mjet për të mbijetuar!

Aktivisti Ilir Xhemalaj, i ftuar në emisionin “Ora e Betit” në “Ora News”, ka folur për presionet që, sipas tij, janë ushtruar ndaj aktivistëve dhe diasporës gjatë protestave kundër qeverisë.

Ai akuzoi institucionet se kanë përdorur forma të ndryshme intimidimi, ndërsa e cilësoi pjesëmarrjen e diasporës si një mbështetje të jashtëzakonshme për lëvizjen opozitare.

Xhemalaj deklaroi se aktivistët dhe pjesëmarrësit në protesta janë përballur me kërcënime personale, sulme në rrjetet sociale dhe masa administrative ndaj emigrantëve që kanë ardhur për të marrë pjesë në tubime. Sipas tij, shumë qytetarë të diasporës janë gjobitur gjatë kthimit në Shqipëri.

“Pjesës së diasporës që kishte ardhur me makina u janë vendosur gjoba nga 150 deri në 400 euro. Policia ka filmuar targat gjatë rrugës dhe më pas janë vendosur penalitete me argumentin e bllokimit të qarkullimit”, tha Xhemalaj, duke kërkuar që këto gjoba të ankimohen dhe të hiqen.

Ai u shpreh se masat e tilla nuk do ta ndalin diasporën që të angazhohet sërish në protestë. Sipas tij, pjesëmarrja e emigrantëve ka qenë një nga mbështetjet më të mëdha të protestave të fundit.

“Dy protesta mbarëkombëtare kanë mbledhur rreth 250 mijë persona në shesh. Është diçka që Shqipëria nuk e ka parë më parë”, deklaroi aktivisti.

Xhemalaj tha gjithashtu se protestat, sipas tij, kanë sjellë pasoja politike për qeverinë, duke përmendur reagimet ndërkombëtare dhe debatet në institucionet evropiane.

“Protesta ka arritur disa gjëra, mbi të gjitha diskreditimin publik të kryeministrit në rang ndërkombëtar. Sot shumëkush e ka parë realitetin politik në Shqipëri”, u shpreh ai, duke përmendur edhe reagimet e eurodeputetëve dhe amendamentet në Parlamentin Evropian.

Sipas Ilir Xhemalajt, përballja politike do të vijojë, ndërsa diaspora do të mbetet një faktor i rëndësishëm në protestat e ardhshme. Ai pretendon se presioni ndaj qytetarëve nuk do të ndikojë në mobilizimin e tyre, ndërsa kërkesat për ndryshim do të vazhdojnë të artikulohen në rrugë dhe në arenën ndërkombëtare.

Ilir Xhemalaj: Shiko, presioni ndaj nesh si aktivistë apo dhe ndaj protestës, ndaj diasporës ka qenë shumë i madh dhe në të gjitha format e mundshme që një pushtet mund të ushtrojë. Si kërcënime personale, si duke na shantazhuar nëpër rrjetet sociale, si duke u vënë gjoba diasporës, si me provokatorë të ndryshëm në protestë. Pra, pushteti, mendoj, është në gramat e fundit të jetës së tij dhe do përpiqet me çfarëdo lloj mënyre që të qëndrojë në jetë. Pjesa e diasporës dhe radhën e parë, të gjithë atyre që kishin ardhur me makinë, u është vënë nga 150 euro gjobë deri në 400 euro gjobë.

Të gjithëve, pa përjashtim. Policia gjatë rrugës që ata vinin ka filmuar targat e të gjithave dhe në doganë u është vënë gjoba. Bllokim i qarkullimit. Sepse ata kanë ardhur të organizuar, me buri, me flamurë, u kanë rënë burive në rrugë dhe ata e kanë gjetur këtë justifikim si bllokim i qarkullimit rrugor. Dhe kanë vënë këto gjoba, të cilat mendoj që duhet të ankimikohen, normalisht dhe duhet të hiqen. Nuk është këtu çështja se nuk besoj se emigrantët tremben nga këto gjëra. Ai do të vijë përsëri.

Çdo emigrant do të vijë përsëri. Diaspora ka qenë një nga mbështetjet tona më të mëdha. Po të shikosh dy protesta  mbarëkombëtare që kemi bërë, me diasporën kanë qenë rreth 250 mijë veta në shesh. Pra, është një diçka që Shqipërisë nuk i ka ndodhur kurrë, në 500 vjet s'ka për t'i ndodhur ndonjëherë në 500 vjet të tjera. Realisht ato numra kanë qenë, unë besoj se ato numra kanë qenë patjetër. Shiko, atij i kanë rënë votat sepse ai popullin sot e ka në shesh. Kështu që nuk ka pasur ndonjëherë këtë popull në shesh.

E para, protesta ka arritur shumë gjëra. E para, ka qenë diskreditimi publik i një kryeministri në rang botëror. Pra, ndërkohë në Evropë kur kryeministri i vendit prezantohej si një lider modern edhe si një lider i cili kishte votën e popullit, sot nuk është më ashtu. Pra në çdo vend të botës e kanë parë se kush është realisht ky kryeministër. Kemi reagimin e eurodeputetëve. Kemi amendamentet e Parlamentit Evropian.

EMISIONET