Spahivogli: Fondet për koncertin duhej të përdoreshin për nevojat emergjente të qytetarëve, jo për spektakle!
Arkitektja dhe urbanistja Entela Spahivogli ka kritikuar përdorimin e fondeve publike për organizimin e koncertit të Kanye West, duke argumentuar se ato duhej të ishin orientuar drejt nevojave më urgjente të qytetarëve.
E ftuar në emisionin “Ora e Betit” në “Ora News”, ajo tha se përparësi duhet të kenë shëndetësia, strehimi dhe shërbimet publike.
Gjatë intervistës, Spahivogli u shpreh se fillimisht e kishte parë çështjen nga këndvështrimi profesional, duke menduar se me këto fonde mund të ishin ndërtuar më shumë parqe, korsi biçikletash dhe hapësira të gjelbra në qytet. Megjithatë, sipas saj, situata aktuale kërkon që fondet publike të përqendrohen te problemet më emergjente.
Ajo theksoi se nevojat urgjente nuk lidhen vetëm me sistemin shëndetësor dhe pacientët me sëmundje të rënda, por edhe me familjet që kanë nevojë për strehim, bonus qiraje dhe mbështetje sociale.
Spahivogli ngriti gjithashtu shqetësime për procedurën e ndjekur për financimin e koncertit, duke vënë në dukje se fondet, sipas saj, ende nuk janë miratuar nga Kuvendi.
“Nëse bëhet fjalë për një akt normativ që ende nuk ka kaluar në Parlament, atëherë kemi të njëjtin paradoks që shohim shpesh edhe në projektet urbanistike, ku punët nisin dhe promovohen përpara se të marrin miratimin ligjor”, deklaroi ajo.
Arkitektja kritikoi edhe mënyrën e vendimmarrjes, duke thënë se përgjegjësia kryesore i takon drejtuesve të qeverisë.
Ajo ngriti pyetjen se kur kanë përdorur për herë të fundit transportin publik apo kanë bërë blerje në tregjet e zakonshme, duke argumentuar se aty kuptohen më mirë vështirësitë reale të qytetarëve.
Në përfundim, Spahivogli u shpreh se fondet publike duhet të administrohen me përgjegjësi dhe të orientohen drejt përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve, duke theksuar se investimet në shërbime bazë dhe mbështetje sociale duhet të kenë përparësi ndaj shpenzimeve për aktivitete spektakolare.
Entela Spahivogli: Në fakt duke dëgjuar Osmanin më vjen keq që në atë analizën e parë që po bëja, ishte çfarë do të bëheshin me këto lekë në të benefitin e qytetit. Sigurisht në pjesën time profesionale unë shoh sa parqe do t'i shtoheshin qytetit, sa korsi biçikletash, sa hapësira të gjelbra dhe shifrat më dalin shumë të larta vetëm me një kalkulim të thjeshtë. Por duke dëgjuar Osmanin mendoj që, pavarësisht se këto që them unë i japin benefit jo vetëm në shëndetin fizik të njerëzve, po dhe mendor, ato para do të duhet së pari të jepeshin për nevojat emergjente.
Dhe nevojat emergjente padiskutim janë ato të spitaleve dhe njerëzve me sëmundje akute, por nevojat emergjente janë shpesh edhe për gjëra të cilat nuk janë thjesht të lidhura me sëmundjet, por me strehimet, me bonuse qiraje, me shumë e shumë halle të tjera që ka ky popull shumë i varfër. Unë do t'i drejtohesha, së pari po dëgjoja më parë që qenka një akt normativ, pra kjo s'paska kaluar akoma në parlament.
Pra sipas kësaj kemi po të njëjtën histori siç ndodh me planet që ne diskutojmë gjithmonë në këtë sferën time të arkitekturës dhe urbanistikës, që bëhen planet përpara, promovohen dhe pastaj futen në rrugë ligjore aprovimi, që kjo është komplet e gabuar. Pra aty pamë shkallare të ndërtuara, me çfarë fondesh janë ndërtuar ato, kur fondet akoma nuk janë aprovuar nga Kuvendi, kjo është paradoksi. Dhe pavarësisht se këtu na përmendin gjermanë, turq e të tjerë, kjo mbrapshti e bërjes së punëve duket edhe këtu.
Ajo që doja të theksoja fuqishëm në të gjitha atyre drejtohem, çuditërisht më vjen shumë direkte ajo dëshira për t'iu drejtuar pikërisht kryeministrit dhe askujt tjetër sepse në fund të fundit strumbullari i gjithë këtij mindset-i, i gjithë kësaj mënyre të menduari edhe të një administrate që e ndjek nga mbrapa, është pikërisht ai lideri i tyre global. Do doja t'i drejtoja një pyetje të thjeshtë: Kur ka qenë hera e fundit që i kanë hypur një autobusi? Një shërbimi publik?
Kur ka qenë hera e fundit që kanë shkuar të blejnë qoftë edhe një produkt të thjeshtë në tregun e zarzavateve? Ju garantoj që në ato hapësirat publike dhe të thjeshta, gjen shumë e shumë më ndershmëri, deri në atë mënyrën se si ata të kthejnë dhe 10 lekëshin e fundit dhe entuziazmohen kur ti i lë diçka më shumë. Pra ka shumë më shumë ndershmëri dhe kursim dhe efikasitet të përdorimit të fondit tonë të përbashkët.

