"Me çfarë fondesh po ndërtohen projektet?"/ Tafaj: Kuvendi s'i ka miratuar ende, ndërsa punimet kanë nisur
Arkitekti Agred Tafaj, i ftuar në studion e emisionit "Ora e Betit" në Ora News, komentoi përdorimin e fondeve publike dhe mënyrën e zbatimit të projekteve, duke ngritur pikëpyetje mbi procedurat ligjore dhe prioritetet e qeverisë.
Sipas Tafajt, fondet publike duhej të përdoreshin fillimisht për nevojat më urgjente të qytetarëve, si shëndetësia, strehimi dhe mbështetja sociale, përpara investimeve të tjera.
"Këto para duhej të shkonin së pari për nevojat emergjente. Për spitalet, njerëzit me sëmundje akute, bonuset e qirasë, strehimin dhe shumë probleme të tjera me të cilat përballet ky popull."-tha Tafaj.
Ai u ndal edhe te akti normativ që ende nuk është miratuar nga Kuvendi, duke vënë në dukje se, sipas tij, disa punime kanë nisur ndërkohë që fondet nuk kanë marrë ende miratimin ligjor.
Sipas Tafajt, kjo është e njëjta praktikë që, sipas tij, është ndjekur edhe në projekte të tjera të urbanistikës, ku zbatimi paraprin procedurat ligjore.
"Nëse fondet nuk janë miratuar ende nga Kuvendi, lind pyetja: me çfarë fondesh janë ndërtuar ato projekte? Ky është paradoksi. Punët po bëhen përpara dhe më pas ndiqen procedurat e miratimit."-shtoi ai.
Tafaj iu drejtua kryeministrit me disa pyetje për kontaktin e drejtuesve të shtetit me jetën e përditshme të qytetarëve.
Ai pyeti se kur ka qenë hera e fundit që kryeministri ka udhëtuar me autobus apo ka bërë blerje në një treg të zakonshëm, duke argumentuar se në këto mjedise kuptohen më mirë vështirësitë e qytetarëve dhe mënyra se si duhet të administrohen fondet publike.


