"Ramë direkt pre e breshërisë së kallashnikovit", polici pa vrasjen e Bledar Birçaj, nuk reagoi

Një efektiv i policisë së Shtetit shoqëronte Bledar Birçajn kur 38 vjeçarit i bënë atentatin ku mbeti i vrarë mesditën e 10 majit 2021 në Vlorë.

Burimet thonë se personi që shihet në pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë, duke dalë nga makina pas sulmit me breshëri kallashnikovi është punonjës i sektorit të Antidrogës.

Ai ka qenë i ulur në vendin e parë të makinës që drejtohej nga Birçaj, u qëllua rreth 30 herë nga dy atentatorët, por ka shpëtuar pa asnjë plagë.

Në dëshminë e parë, polici ka thënë se nuk dinte për konflikte të 38 vjeçarit.

“Ramë direkt pre e breshërisë së kallashnikovit. Pashë dy veta me maska që nuk arrita ti njihja. Nuk jam në dijeni të ndonjë konflikti të fundit" tha ai.

Bledar Birçaj kishte vetëm tre javë që ishte rikthyer në Vlorë nga Spanja dhe besohet se ka qenë nën vëzhgim, ndaj ekzekutorët kishin informacion të saktë në kohën kur bënë sulmin në mes të rrugës.

Viktima ruhej


Edhe 38 vjeçari duket se ruhej pasi në makinë, sipas burimeve i është gjetur një pistoletë, por që nuk ka arritur të kundërpërgjigjet për shkak të sulmit të shpejtë.

"Ramë direkt pre e breshërisë së kallashnikovit",
Ne foto: Vrasja e Bledar Birçaj më 10 maj 2021

20 te shoqëruar


Veç policit që ndodhej në makinë me objektivin e atentatit në Vlorë, policia shoqëroi edhe rreth 20 persona për t'u marrë në pyetje mbi dinamikën, apo motivet e vrasjes.

Mbi bazë të provave e dëshmive, pistat kryesore mbeten hakmarrja por dhe konfliktet e mundshme në Spanjë apo përfshirja në veprimtari kriminale.

Autorët ndërkohë mbeten në arrati, pasi përdorën një skemë të re për të humbur gjurmët.

Ata dyshohet se e fshehën makinën që u përdor për vrasje në zonë, dhe më pas janë larguar me mjete të tjera, dhe nuk zgjodhën ta djegin siç ka ndodhur thuajse pas çdo ekzekutimi kriminal në vend.

EMISIONET