Rama publikon video nga Radhima: Kamerierët me paga rreth 1000 euro plus bakshishe

Kryeministri Rama iu është përgjigjur sot kritikëve që pretendojnë se pagat në sektorin e turizmit në Shqipëri janë më të ulëta se në Greqinë fqinje.
Ai ka postuar në rrjete sociale një video ku shfaqen tre të rinj që punojnë kamarierë në Lungomaren e Radhimës, të cilët sipas tij marrin paga rreth 1000 euro në muaj, përveç bakshisheve.
Në postim, Rama shprehet se në sektorin e turizmit në Shqipëri pagat janë të larta dhe taksat më të ulëta.
“Ndalova për të pirë një kafe këtu në Lungomaren 4 të Radhimës së Rilindur. Më erdhi një nga këta djemtë, më solli kafenë. E pyeta sa e ke pagën, më tha 1000 euro. Bakshishet i mbajnë vetë. Ja urdhëroni! Këtu jemi në Lungomare 4 në Radhimë. Kush do të vijë ta verifikojë të vijë, kush nuk do ta besojë le të vazhdojë të besojë atë që do. Por në Shqipëri, në turizëm nuk ka paga më të ulëta se në Greqi. Taksat janë shumë më të ulëta dhe ajo që mbetet në fund është shumë më tepër”, shprehet Rama.

