Tajani: Të përshpejtohet anëtarësimi i plotë i vendeve të Ballkanit në BE

Tajani: Të përshpejtohet anëtarësimi i plotë i vendeve

Italia planifikon të punojë fort për të përshpejtuar anëtarësimin e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, deklaroi sot ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani gjatë një fjalimi, në Forumin e Dubrovnikut, në Kroaci.

“Sigurisht, Shqipëria dhe Mali i Zi janë të përgatitura, por ne duam gjithashtu të ndihmojmë edhe vendet e tjera, në mënyrë që shumica prej tyre të bashkohen me BE-në”, tha Tajani.

“Ky është një prioritet politik për Italinë”, deklaroi ministri i Jashtëm italin në Forumin e Dubrovnikut.

“Ne po punojmë fort me këtë grup, të cilin unë e kam themeluar, si dhe me miqtë tanë të Ballkanit Perëndimor”, shtoi ai.

“Po bashkëpunojmë ngushtë me Kroacinë, për shembull, dhe vende të tjera për të hapur rrugën drejt anëtarësimit të plotë”, tha ministri Tajani.

“Dubrovnik Forum” ose Forumi i Dubrovnikut, është një konferencë ndërkombëtare që zhvillohet çdo vit në Kroaci dhe shërben si një platformë, për diskutime mes vendeve të ndryshme mbi çështjet më të rëndësishme globale dhe evropiane.

Në edicionin e këtij viti, theksi kryesor u vendos te siguria ndërkombëtare, ndryshimet në rendin botëror dhe forcimi i bashkëpunimit mes shteteve.

Një nga temat më të rëndësishme ishte edhe zgjerimi i Bashkimit Evropian, me fokus të veçantë tek vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë forumit u theksua nevoja për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian për këto vende, si pjesë e stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon.

Në forum morën pjesë ministra të Jashtëm, mes tyre edhe ministri italian Antonio Tajani, si dhe kryeministra, diplomatë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare si Këshilli i Evropës dhe OSBE-ja.

Takimi shërbeu si një hapësirë për koordinim politik dhe diplomatik mes Evropës dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë.

EMISIONET