Rama-Kurtit: Dil nga guacka, ose humb kontrollin e territorit, Vuçiç të lirojë 3 policët, ose ngrij marrëdhëniet

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar për rritje të kompetencave të KFOR në Kosovë nëse Albin Kurti nuk pranon ofertën e ndërkombëtarëve për veriun. Madje në Twitter ai shprehet se qeveria e Prishtinës mund të ketë më pak kontroll formal në territorit. Në të njëjtin mesazh kreu i qeverisë shqiptare paralajmëron të ngrijë marrëdhëniet me Vuçiçin nëse brenda javës nuk liron tre policët.

Në nisje të javës ku Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç janë ftuar në tjetër takim në Bruksel, kryeministri i Shqipërisë apelon homologun e tij në Kosove të reflektojë.

Madje duke e cilësuar si mundësinë e më të mirë për Prishtinën, ai shpreh paralajmërimin dhe për izolimin e vendit.

“Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova - sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFOR-in në krye të punës!”

Qëndrimet e kurthit Rama i konsideron si guackë të vetëizolimit, por shton se po nuk pati ndryshim është KFOR që do të ketë më shumë kontroll në Kosovë.

"E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFOR-it në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhtarë! Koha është tani dhe po fluturon!"

Në Twitter Rama publikon dhe deklaratën e DASH ku kërkohet lirimi I tre policëve të arrestuar në veri. Duke iu bashkuar apelit ai shton se do të ngrijë marrëdhëniet me Vuçiçin nëse ata nuk lirohen brenda javës.

“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!”

Nga ana tjetër vetë kryeministri i Kosovës Albin Kurti shprehet se do të vendosë për ftesën e Borrell vetëm pasi përfaqësuesi i qeverisë të takojë tre policët e arrestuar nga Serbia.

EMISIONET