Angelina Jolie rrëfen frikën për jetën: I kam rritur fëmijët duke i përgatitur për mungesën time

Angelina Jolie rrëfen frikën për jetën: I kam rritur

Angelina Jolie ka bërë një rrëfim prekës për mënyrën se si përvoja personale me sëmundjen ka ndikuar në mënyrën si ka zgjedhur të rrisë gjashtë fëmijët e saj.

Në një intervistë për Variety, aktorja fituese e çmimit Oscar zbuloi se gjithmonë i ka përgatitur fëmijët për mundësinë që një ditë ajo të mos jetë më pranë tyre.

"I kam rritur fëmijët pothuajse duke i përgatitur për mungesën time, më shumë sesa duke u përgatitur të bëhesha gjyshe. Kështu ndodh kur e sheh vdekjen si një realitet," tha ajo.

Deklarata lidhet edhe me filmin e saj më të ri, Couture, ku interpreton një regjisore që diagnostikohet me kancer gjiri. Për Jolie-n, ky rol ka një domethënie të veçantë, pasi në vitin 2013 ajo iu nënshtrua një mastektomie parandaluese, pasi zbuloi se mbante mutacionin e gjenit BRCA1, i cili rrit ndjeshëm rrezikun për kancer të gjirit dhe vezoreve.

Nëna e saj, Marcheline Bertrand, humbi jetën në moshën 56-vjeçare nga kanceri i gjirit dhe i vezoreve, një humbje që, sipas aktores, ka ndikuar në mënyrën se si e sheh jetën.

"Nuk kam jetuar kurrë me ndjesinë se do të kem një jetë të gjatë," u shpreh ajo. "Jam tashmë më e madhe se mosha kur nëna ime u diagnostikua. Ndonjëherë ndihem sikur nuk arrij ta jetoj plotësisht momentin, sepse kam vazhdimisht ndjesinë se koha po mbaron."

Megjithatë, Jolie thotë se fëmijët e saj po e ndihmojnë ta ndryshojë këtë mënyrë të menduari. Tashmë që shumica e tyre janë të rritur, ata e inkurajojnë të udhëtojë, të provojë gjëra të reja dhe të shijojë jetën.

"Fëmijët e mi duan të më shohin duke udhëtuar nëpër botë. Ata më njohin më mirë se kushdo dhe vazhdojnë të më duan, gjë që do të thotë shumë. Janë ata që më shtyjnë të rikthehem te pjesë të vetes sime që ndoshta nuk ndihesha më e lirë t'i jetoja," përfundoi aktorja.

EMISIONET