Pacolli kërkon hetim nga SPAK për Aeroportin e Vlorës: Investimi 320 milionë euro mbahet peng nga veprime të paligjshme

Behgjet Pacolli ka reaguar me një postim publik lidhur me situatën e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke kërkuar hetim nga SPAK për bllokimin e projektit. Sipas tij, kompania MABCO, investitori kryesor i aeroportit, pretendon se prej një periudhe të gjatë po përballet me pengesa të kundërligjshme që kanë ndaluar përfundimin e punimeve dhe vënien në funksion të aeroportit.
Në postimin e publikuar, Pacolli shkruan se MABCO ka investuar mbi 320 milionë euro në projekt dhe se, pavarësisht kapaciteteve teknike, financiare dhe profesionale, aeroporti vijon të mbetet i bllokuar për shkak të veprimeve dhe mosveprimeve që kompania i konsideron të paligjshme.
Sipas tij, situata ka pasoja jo vetëm për investitorin, por edhe për ekonominë shqiptare, qytetarët dhe klimën e investimeve të huaja në vend.
Në reagim kërkohet që SPAK të zhvillojë një hetim të plotë dhe të pavarur për të identifikuar përgjegjësit e kësaj situate. Në postim përmenden pretendime për mashtrim, falsifikim dokumentesh, përdorim të dokumenteve të falsifikuara, ndërhyrje të paligjshme në procese gjyqësore, moszbatim të vendimeve të Gjykatës së Lartë dhe veprime institucionale që, sipas MABCO-s, kanë çuar në bllokimin e projektit.
Pacolli ndalet edhe te roli i gjyqtares Miranda Nakaj, duke shkruar se, sipas vlerësimit të MABCO-s, një vendim i saj është bërë shkaku kryesor i bllokimit të punimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës dhe i pasojave ekonomike, teknike e juridike që kanë pasuar.
Në postim thuhet se, nëse provohet se vendimi është marrë në kundërshtim me ligjin ose nën ndikime të paligjshme, përgjegjësia duhet të shqyrtohet në planin disiplinor, civil dhe penal.
Në përfundim, Pacolli shprehet se MABCO mbetet e angazhuar për përfundimin e projektit në përputhje me kontratën dhe ligjin, ndërsa kërkon që organet e drejtësisë të hetojnë çështjen në mënyrë të pavarur dhe të vendosin para përgjegjësisë çdo person që rezulton përgjegjës.


