PAMJE/ Nis restaurimi i godinës së Mitropolisë në Gjirokastër

Në qytetin e Gjirokastrës nisi ndërhyrja për restaurimin e godinës së Mitropolisë (ish-Poliklinika), e vendosur në lagjen historike “Hasmurat”.
Objekti mban statusin Monument Kulture i Kategorisë I dhe përbën një nga ndërtesat me vlera të veçanta të trashëgimisë kulturore të qytetit. Projekti po realizohet në bashkëpunim mes Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër dhe komunitetit fetar, me synimin për të garantuar ruajtjen dhe jetëgjatësinë e kësaj ndërtese historike.
Punimet kanë nisur nga restaurimi i çatisë karakteristike me rrasa guri, një nga elementët më të spikatur të arkitekturës tradicionale gjirokastrite. Sipas DRTK Gjirokastër, ndërhyrja po kryhet duke respektuar teknikat tradicionale të restaurimit, me qëllim ruajtjen e autenticitetit dhe vlerave origjinale të monumentit.
Restaurimi i godinës së Mitropolisë pritet të kontribuojë në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Gjirokastrës, qytet i mbrojtur nga UNESCO për arkitekturën e tij karakteristike.

