Presidenti francez thekson mbështetjen evropiane për Ukrainën në paradën e Ditës së Bastijës
Presidenti francez, Emmanuel Macron rikonfirmoi sot mbështetjen perëndimore për Ukrainën, në paradën më të madhe ushtarake të organizuar ndonjëherë me rastin e Ditës së Bastijës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministri britanik Keir Starmer ishin mes rreth 30 liderëve botërorë të vendeve pjesë e “Koalicionit të të Gatshmëve”, një grup shtetesh që mbështesin Ukrainën.
Ata ndoqën paradën nga një tribunë speciale në bulevardin e famshëm Champs-Élysées, në Paris.
Në krye të ceremonisë marshuan rreth 500 ushtarë nga vendet anëtare të koalicionit.
Ekipi francez i akrobacive ajrore “Patrouille de France” fluturoi së bashku me dy avionë luftarakë “Mirage”, me ekuipazhe të përbashkëta franko-ukrainase.
Kjo ishte parada e 10-të dhe e fundit e Ditës së Bastijës – nën drejtimin e presidentit Emmanuel Macron – pasi ai nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë në zgjedhjet presidenciale të Francës, që pritet të zhvillohen në prill dhe maj të vitit të ardhshëm.
Një demonstrim force
Vendet e “Koalicionit të të Gatshmëve”, u takuan dje në Paris me presidentin ukrainas, Zelensky për të diskutuar ndihmën e mëtejshme ushtarake për Kievin.
Gjatë takimit, Ukraina dhe nëntë vende të tjera, njoftuan se kishin rënë dakord të bashkëpunojnë për zhvillimin e sistemeve kundër raketave balistike, me qëllim mbrojtjen e Evropës.
Sipas Pallatit Élysée, ceremonia e këtij viti synon të tregojë fuqinë ushtarake të Francës, forcimin e mbrojtjes evropiane dhe vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit rus.
Parada e këtij viti, ishte më e madhja në historinë e Ditës së Bastijës, me pjesëmarrjen e rreth 6 800 ushtarëve dhe një numër shumë më të madh mjetesh ushtarake.
Gjermania mori pjesë me katër avionë ushtarakë dhe 21 ushtarë nga Batalioni i Artilerisë 295, me bazë në Stetten am kalten Markt, në jug të Gjermanisë. Kjo njësi është pjesë e Brigadës Franko-Gjermane.
Kancelari Merz mori pjesë në paradë si i ftuari i nderit i Macronit, duke u bërë kancelari i parë gjerman që merr këtë rol që prej Angela Merkel në vitin 2019.
Dita Kombëtare e Francës, e njohur si Dita e Bastijës, përkujton sulmin ndaj burgut të Bastijës më 14 korrik 1789, një nga ngjarjet kryesore, që shënuan fillimin e Revolucionit Francez.


