"Nuk kemi frikë nga askush" - Rabiot i përgjigjet Yamalit: Spanja nuk është vetëm një lojtar

Mesfushori i Francës, Adrien Rabiot, ka reaguar ndaj deklaratave të yllit spanjoll Lamine Yamal në prag të gjysmëfinales së Kupës së Botës 2026, duke theksuar se “Les Bleus” nuk kanë frikë nga asnjë kundërshtar.
“Sigurisht që nuk kemi frikë nga askush. Duke parë rrugëtimin që kemi bërë deri tani, mendoj se kemi mbërritur në gjysmëfinale në gjendjen më të mirë të mundshme. Vështirë se mund të ishim në një formë më të mirë”, deklaroi Rabiot.
Këto komente vijnë si përgjigje ndaj fjalëve të Lamine Yamal, i cili pak ditë më parë ishte shprehur se, nëse Franca duhet të ketë frikë nga dikush, ai është Spanja. Rabiot bëri të qartë se Franca nuk do të përgatisë një strategji të veçantë vetëm për talentin 19-vjeçar.
“Nuk do të ketë një plan anti-Yamal. Ne do të përqendrohemi te e gjithë skuadra e Spanjës. E dimë që janë të rrezikshëm në çdo aspekt, qoftë me Yamalin, me repartin ofensiv, me kontrollin e topit, lojën në hapësira të ngushta pranë zonës apo kombinimet e tyre. Prandaj duhet të jemi të përqendruar te e gjithë skuadra dhe jo vetëm te një lojtar”, u shpreh mesfushori francez.
Rabiot foli edhe për atmosferën brenda kampit të Francës, duke theksuar se uniteti i grupit ka qenë një nga faktorët kryesorë të suksesit në këtë Botëror.
“Mes nesh ekziston një harmoni dhe një frymë e shkëlqyer skuadre. Edhe jashtë fushës gjithçka shkon shumë mirë dhe mendoj se kjo ka një rol të rëndësishëm në suksesin tonë. Na kanë bashkuar edhe momentet e vështira, si ato që përjetoi trajneri Didier Deschamps, i cili humbi nënën gjatë turneut. E dimë gjithashtu se kjo është gara e fundit e tij në krye të kombëtares franceze. Janë shumë gjëra që na bëjnë të besojmë se ky është momenti ynë”, përfundoi Rabiot.


