“Po re nga fiku...” - Ish-kryebashkiaku socialist merret i pandehur, Maliqi i kujton kryebashkiakut të Kuçovës: Edhe ti Hajdar, fatin e tij do kesh
Një tjetër ish-kryebashkiak socialist merret i pandehur nga SPAK. Fredi Kokoneshi, që ka drejtuar Divjakën akuzohet për shpërdorim detyre kryer ne bashkëpunim, bashkë me disa persona të tjerë.
Dosja që është hetuar nga prokurori Elvin Gokaj ka zbritur në gjykatën e Posaçme ku pritet shorti për caktimin e gjyqtarit të seancës paraprake.
Krahas ish-kryebashkiakut Kokoneshi të pandehur janë marrë Andi Bullari, Ledio Xharo dhe Dorian Spaho.
Procedimi penal është regjistruar për shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim.
Lidhur me këtë procedim ka reaguar edhe ish-kandidati i Opozitës për Bashkinë e Kuçovës, Lefter Maliqi, i cili i kujton kundërshtarit të tih Hajdari se do ketë fatin e Kokoneshit.
REAGIMI I LEFTER MALIQIT
Po re nga fiku të gjithë të shesin, Hajdar. Kolegu juaj, ish-kryetari i Bashkisë Divjakë, Kokoneshi, pasi ra nga detyra, sot u mor i pandehur nga SPAK, drejt burgut, për leje në tokë bujqësore për impiante diellore!Siç janë denuar ish kryetaret e Durresit,te Kavajes,Fushe Arrezit,Himares etj pasi kanë rënë nga detyra!
Po ti, Hajdar, që miratove leje për ndërtim ujësjellësi mbi 4 milionë euro në tokë të Gramshit dhe jo të Kuçoves, pa leje mjedisi, në zonë të mbrojtur? Po për 10 kallëzime të tjera të rënda? Disa po i mbyll, sepse ke oligarkë, firma ndërtimi e politikanë që të mbrojnë, se kanë interesa të të keqpërdorin dhe të të shfrytëzojnë.
Po kur të biesh nga karrigia, e ke menduar se ç’të pret? A e di që do të të shesin të gjithë? Edhe Kokoneshi, kur ishte kryetar bashkie, ishte i fortë, por sa iku, u mor i pandehur!
Sigurisht, unë do ta vazhdoj betejën ligjore, duke e ditur që të mbrojnë në SPAK, Gjykatë, KQZ etj., por kjo betejë, me sa po bindem, jo vetëm unë, por çdo avokat, prokuror, gjyqtar e politikan që njoh, më thonë: “Tani e ke të vështirë, se e mbrojnë për shkak të interesave, por kur të bjerë, do të shkojë te vendi të japë llogari për çdo abuzim me taksat e qytetarëve në atë bashki të dhuruar në 2019 pa garë dhe të grabitur në 2023!”
“Gjëja e dhuruar dhe e vjedhur nuk gëzohet, të del nga hundët”, thotë populli!
Drejtësi e vonuar, por do të vihet në vend! Vazhdo, Hajdar, gëzohu edhe ca muaj, se ka Zot. Të gjitha do të lahen! Dhe secili merr atë që meriton!


