“11,300 km rrugë, 700 ujësjellësa dhe 45,000 plantacione”/ Berisha zbardh investimet e qeverisjes së mëparshme

Në një takim me fermerët në Cërrik, kreu i PD-së Sali Berisha foli për mënyrën e bashkëpunimit që, sipas tij, ka funksionuar mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor gjatë qeverisjes së mëparshme.

“Komunave dhe këshillave u kërkonim të bënin projektet, ndërsa fondet i garantonim ne si qeveri.”-tha kryedemokrati.

Ai u shpreh se në atë periudhë, komunave dhe këshillave vendorë u lihej detyra e hartimit të projekteve për rrugë, kanalizime dhe infrastrukturë, ndërsa financimi mbulohej nga qeveria qendrore.

Sipas tij, ky model ka sjellë rezultate të dukshme në territor, duke mundësuar ndërtimin e një rrjeti të gjerë rrugësh, sisteme ujësjellës-kanalizimesh dhe investime në bujqësi.

“Ky raport solli ndërtimin e mijëra kilometrave rrugë, ujësjellësa dhe investime të mëdha në bujqësi në gjithë vendin.”-shtoi Berisha.

Në fjalën e tij u përmend se janë ndërtuar rreth 11,300 kilometra rrugë, nga të cilat një pjesë e madhe në zonat rurale.

Po ashtu, janë realizuar rreth 700 sisteme ujësjellës-kanalizimesh dhe janë financuar dhjetëra mijëra plantacione me drurë frutorë.

Berisha e cilësoi këtë periudhë si një model bashkëpunimi që ka ndikuar në zhvillimin e zonave rurale dhe në përmirësimin e infrastrukturës në të gjithë vendin.

 

EMISIONET