Çështja “It Ends With Us”/ Blake Lively merr një tjetër fitore në gjykatë ndaj Baldoni

Aktorja Blake Lively ka marrë një tjetër vendim në favor të saj në përballjen ligjore me aktorin dhe regjisorin Justin Baldoni, lidhur me konfliktin gjatë xhirimeve të filmit It Ends With Us.
Një gjykatë federale në SHBA i ka njohur të drejtën Lively-t që të kërkojë rimbursimin e shpenzimeve ligjore dhe kostove të procesit gjyqësor, sipas ligjit të Kalifornisë. Megjithatë, kërkesa e saj për dëmshpërblime shtesë dhe ndëshkuese është rrëzuar.
Avokatët e aktores e kanë cilësuar vendimin si konfirmim të qëndrimit të saj ligjor, duke thënë se gjykata ka vlerësuar se ajo ka vepruar në mirëbesim dhe nuk ka prova për keqdashje.
Shuma që ajo mund të përfitojë nga shpenzimet gjyqësore ende nuk është përcaktuar.
Konflikti mes dy aktorëve nisi në fund të vitit 2024, kur Blake Lively ngriti akuza ndaj Baldonit për ngacmim seksual dhe sjellje hakmarrëse gjatë punës në film.
Baldoni i ka mohuar akuzat dhe më pas ka ngritur padi kundër saj dhe disa personave të tjerë, me një kërkesë prej 400 milionë dollarësh, padi e cila më vonë u rrëzua nga gjykata.
Edhe pse çështja u mbyll me marrëveshje pak para nisjes së gjyqit, palët vazhdojnë ta interpretojnë ndryshe rezultatin e procesit.


