Ngërçi në Urdhrin e Psikologut/ Laboviti: Askush nuk e do zonja Teskën në krye të institucionit
Në studion e Ora News ishte e ftuar juristja Brunilda Laboviti, e cila foli për situatën e krijuar në Urdhrin e Psikologut, ku sipas saj institucioni ndodhet në një ngërç ligjor pas përfundimit të mandatit të drejtueses aktuale.
Ajo ngriti shqetësime për mënyrën e funksionimit të institucionit dhe për përplasjet që janë krijuar brenda tij, duke përmendur edhe raportet me median gjatë zhvillimeve të fundit.
“Ndërkohë brenda territorit të Shqipërisë ajo kupton shumë mirë që askush nuk e do, askush nuk dëshiron që ajo të jetë dhe të na përfaqësojë sot si presidente e Urdhrit të Psikologut, dhe aq më tepër të mbajë në detyrë një kandidate humbëse për sekretare të përgjithshme.”-tha ajo.
Laboviti u ndal edhe te mënyra se si u trajtua media gjatë mbulimit të ngjarjeve në institucion, duke thënë se gazetarët nuk u lejuan të ndiqnin procesin në kushte normale pune.
“Në fjalën e saj zonja Treska e pranoi që mandati i saj ka përfunduar dhe kushdo që ka kundërshtime, mund t’i drejtohet gjykatës. Media nuk u lejua të raportojë në mënyrë etike dhe të lirë.”-shtoi Laboviti.
Në studio u soll në vëmendje edhe fakti se juristi i institucionit është larguar prej kohësh nga detyra, çka sipas të ftuarës ka krijuar një boshllëk ligjor dhe paqartësi në vendimmarrje.
Sipas saj, kjo situatë ka ndikuar në funksionimin normal të Urdhrit të Psikologut dhe në marrëdhëniet e tij me komunitetin profesional.


