VARG AKSIDENTESH/ Motori del nga kontrolli në Fier, humb jetën 34-vjeçari. Përplasen dhe tre makina në Lezhë-Milot

Këto pamje mbeten dëshmi e aksidentit që i mori jetën një 34-vjeçari, i cili po udhëtonte me motor në autostradën Fier–Lushnjë.

I riu po udhëtonte drejt Lushnjës, kur pranë fshatit Vajkan, në rrethana që ende nuk janë të qarta, dyshohet se ka humbur kontrollin e motorit që drejtonte.

Mjeti përfundoi jashtë rruge dhe 34-vjeçari u përplas në asfalt.

Goditja ka qenë e fortë dhe i ka shkaktuar dëmtime të rënda, të cilat i kushtuan jetën, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të urgjencës që shkuan në ndihmë.

Ekspertët e Policisë Rrugore kryen veprimet hetimore në vendngjarje për të zbuluar shkakun e aksidentit që ndodhi këtë të premte.

Ndërkohë, tre persona, mes tyre një grua, mbetën të plagosur si pasojë e një aksidenti të trefishtë në superstradën Lezhë–Milot.

Fatmirësisht, të gjithë të dëmtuarit raportohet se janë jashtë rrezikut për jetën, pasi morën ndihmë mjekësore në Spitalin e Lezhës.

Shkaku i përplasjes dyshohet të ketë qenë shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, ndërsa ekspertët pritet të përcaktojnë përgjegjësinë e drejtuesve të mjeteve.

EMISIONET