PROCEDIMET NDAJ PROTESTUESVE/ Bardhi: Policia po e përdor këto masa për të frikësuar qytetarët
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me procedimet e protestuesve nga Policia e Shtetit gjatë protestave të zhvilluara ditët e fundit.
Sipas tij, veprimet e vazhdueshme ndaj protestuesve përbëjnë një përdorim të gabuar të organeve ligjzbatuese dhe synojnë të krijojnë frikë te qytetarët, duke kufizuar të drejtën për tubim paqësor.
Bardhi vlerëson se protesta e zhvilluar prej 19 ditësh ka qenë paqësore dhe në përputhje me ligjin, duke shtuar se edhe në rastet kur ka pasur ndërhyrje të policisë, nuk janë shënuar tejkalime nga ana e qytetarëve.
Ai e cilëson këtë qasje si të papranueshme dhe në kundërshtim me standardet demokratike.
Në vijim, Bardhi i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës që të ndërhyjë për të ndalur veprimet që i konsideron arbitrare dhe politike ndaj protestuesve. Sipas tij, mosreagimi i institucionit e vendos atë përballë përgjegjësisë në këtë situatë.


