NGA DUBAI NË BURG/ GJKKO konfirmon masat për 4 nga 6 anëtarët e grupeve kriminale, shkon në 23 numri i të ekstraduarve

Gjykata e Posaçme shqyrtoi këtë të shtunë masat e sigurisë për Kristi Qiricin, Aleks Pepajn, Ilir Lazrin dhe Shkëlzen Krajën, vetëm pak orë pasi ata u ekstraduan nga Dubai.

Togat e zeza vendosën të lënë në fuqi kërkesën e SPAK-ut për masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tyre, pasi dyshohen si të përfshirë në grupe kriminale të trafikut të drogës.

Kristi Qirici dhe Shkëlzen Kraja dyshohen si pjesë e një grupi kriminal që kultivonte kanabis në Sarandë dhe zonat përreth gjatë viteve 2019–2021, ndërsa lënda narkotike trafikohej më pas drejt Greqisë.

Qirici është gjithashtu vëllai i Edmond Papës, biznesmenit të ekzekutuar në dhjetor të vitit 2022.

SPAK-u, në mars të vitit të kaluar, identifikoi dhe sekuestroi rreth 90 pasuri të këtij grupi, të cilat dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës.

Ndërkohë, Aleks Pepaj dhe Ilir Lazri dyshohen si pjesë e grupit kriminal të Jetmir Pepës, i akuzuar për trafik droge nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Ky grup u godit në prill të këtij viti, kur SPAK-u lëshoi 11 masa sigurie. Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese të Francës, Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas SPAK-ut, janë dokumentuar tetë episode të trafikimit të sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve europiane, kryesisht Holandës.

Që prej nisjes së bashkëpunimit për ekstradimet me Dubain, burime për Ora News bëjnë me dije se 23 persona të kërkuar nga drejtësia shqiptare janë ekstraduar në vend.

Mësohet gjithashtu se janë identifikuar edhe 12 persona të tjerë, për të cilët po punohet me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe me qëllim ekstradimin dhe përballjen e tyre me drejtësinë shqiptare.

 

EMISIONET