Gledis Nano “rrëfehet” tek Siguria: Klodian Çalamani u verifikua për vjedhje 5 ditë para vrasjes së Mateos

Autori i vrasjes së 8-vjeçarit, Mateo Vasiu në Fier, Klodian Çalamani, ishte skeduar si hajdut banesash por ndaj tij nuk ka pasur denoncim për krime seksuale. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano, paraqiti një raport të detajuar për gjendjen e kriminalitetit në vend ku tha se 175 të mitur kanë rënë pre e dhunës. Ai refuzoi të japë detaje për hetimet mbi vrasjen e ish-deputetit Fatmir Xhindi dhe atentatin ndaj gjyqtarit Skerdilajd Konomi por tha se vitin e fundit janë goditur 40 grupe kriminale.

Në raportimin e tij të parë para Komisionit të Sigurisë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, foli me detaje për rastin e vrasjes së 8-vjeçarit Mateo Vasiu në Fier, ku tha se për autorin ka pasur denoncime për vjedhje, por jo për krime seksuale.

Nano: Do të veçoja ngjarjen me 16.11.2021 ku në fshatin Grecali të Fierit u arrestua në banesën e tij Klodian Çalamani sepse për motive të dobëta ka vrarë me sendë të forta shtetasin e  mitur M.V të cilin e kishte groposur në oborrin e banesës.

Autori ishte me precedent penal pasi gjykata e kishte dënuar me 4 vite burg për heqje të paligjshme të lirisë.Ka pasur të dhëna policore se ka aktivitet kriminal në vjedhjen e banesave, bagëtisë dhe shpendëve në fshat, informacione që kanë qenë në fazë të verifikimeve.

Për autorin pas përfundimit të dënimit nuk ka pasur informacione, të dhëna apo kallëzime si person i dyshuar për veprat penale në fushën e abuzimeve seksuale apo dhunës në familje.

Policia e kishte ne kontroll por..

Nano raportoi se Çalamani pas daljes nga burgu ka qenë në kontroll të vazhdueshëm nga polici i zonës dhe madje për këtë ka dhe dokumente.

Pas daljes së tij nga burgu nuk ka pasur informacione me këtë tendencë tha Nano duke bërë publike dhe datat kur është bërë verifikimi nga polici i zonës.

19  Prill 2021

19  Maj  2021

9 Korrik 2021

9 Korrik 2021

22 shtator 2021

Ai tha se informacionin i fundit i marrë në rrugë operative për këtë shtetas ka qenë në 11 nëntor ndërkohë që ngjarja ka ndodhur në 16 nëntor.

Nano: Përsëri ky informacion ka qenë në fushën  e vjedhjes apo krimeve kundër pronës. Nuk ka pasur informacion në lidhje me aktivitetin e këtij personi në drejtim të krimeve të rënda apo krimeve të dhunshme.

"S'flas për hetimet e vrasjes së Fatmir Xhindit e Skerdilajd Konomit"

Pyetjes në lidhje me hetimet për vrasjen e ish-deputetit Fatmir Xhindi dhe gjyqtarit Skerdilajd Konomi, kreu i policisë iu përgjigj duke mos ekspozuar asnjë detaj nga dosjet për shkak të sekretit hetimor.

Nano: Nuk dua të jap asnjë detaj për hetimin e këtyre ngjarjeve sepse janë sekret hetimor, por të dy çështjet janë ende në hetim.

Gjatë vitit të kaluar sipas shifrave të policisë ka pasur rritje të numrit të krimeve ndaj fëmijëve me 27 më shumë në krahasim me një vit më parë.

Nano: Këtë vit janë evidentuar 893 të mitur të dëmtuar ose viktima nga vepra të ndryshme penale ku ka një rritje me 27 të mitur nga viti i kaluar. Pjesa më e madhe e të miturve janë të dëmtuar nga vepra penale në fushën e sigurisë rrugore, gjithsej 331. Nga dhuna në familje janë të dëmtuar 175 të mitur ose 19.5% e të miturve të dëmtuar nga veprat penale. Nga krimet seksuale rezultojnë të dëmtuar 67 të mitur, ose 7.5% e totalit të të miturve të dëmtuar duke shënuar rënie nga viti i kaluar ku ishin 76 të mitur të dëmtuar nga krimet seksuale.

Dyshimet për paaftësi të punonjësve të policisë kryesisht në ngjarje kriminale, dhe mosbashkëpuni mes drejtorive dhe prokurorive, sipas deputetëve të opozitës kanë penguar zbulimin e ngjarjeve.

Xhaferraj: Konstatojmë se veprimet për të shkuar në vendngjarje janë të vonuara. Në vendngjarje është konstatuar se mungon prezenca e prokurorit.

Në raportimin e tij në Komision, kreu i Policisë pranoi se gjatë vitit të fundit është asgjësuar më shumë kanabis, ndërsa foli edhe për grupet kriminale të goditura nga policia.

Nano: Janë sekuestruar:81.1 kg heroinë, 605.1 kg kokainë dhe 2647.7 kg marijuanë. Janë goditur gjithsej 40 grupe kriminale, 4 grupe ose 11% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kryepolici, Gledis Nano, theksoi se ka ngritur grupe pune që po studiojnë vendosjen e efektivave në terren sipas nevojave dhe problematikës së rendit në çdo qark të vendit.

 

EMISIONET