MOS MË EKSTRADONI NË BANGLADESH! Në kërkim për mashtrim financiar, biznesmeni kërkesë Gjykatës së Lartë: Atje rrezikoj vdekjen
Një ish-zyrtar nga Bangladeshi i cili prej 1 viti po mbahet i izoluar në Shqipëri i është drejtuar Gjykatës së Lartë duke kërkuar mos ekstradimin e tij në vendin e origjinës. Sipas të dhënave Sohel Rana kërkohet për një dëm të madh financiar por sipas tij ekstradimi në Bangladesh mund të sjellë vrasjen e tij

Gjykata e lartë ka marrë nën shqyrtimin një kërkesë për ekstradimin e një biznesmeni nga Bangaldeshi i quajtur Sohel Rana për të cilën vendi i tij i origjinës kërkon përballjen me drejtësinë.
Ai prej 1 viti ndodhet i izoluar në Shqipëri e ndërsa i është drejtuar autoriteteve më një kërkesë me qëllim mos ekstradimin e tij.
Seanca e parashikuar u shty pasi do t’i kërkohet një mendim edhe prokurorisë së përgjithshme mbi kërkesën për ekstradimin e tij. Sipas të dhënave Sohel Rana rezulton të jetë një ish-zyrtar i lartë i policisë së Bangladeshit dhe po ashtu i shumëkërkuar pasi besohet se fshihet mbrapa një skeme mashtrim financiar përmes kompanisë online E-Orange.
Sipas mediave të huaja Sohel Rana është i akuzuar në të paktën nëntë çështje penale në Daka, për përvetësim fondesh, mashtrim dhe pastrim parash, me një dëm ekonomik që vlerësohet në rreth 93 milionë euro.
Ai është gjithashtu subjekt i një njoftimi të kuq të Interpolit, të lëshuar në vitin 2022.
Pas shpërthimit të skandalit financiar në vitin 2021, Rana u arratis nga Bangladeshi në Indi, ku u arrestua nga forcat kufitare indiane teksa përpiqej të kalonte në Nepal. Ai u dënua me dy vite burg për hyrje të paligjshme dhe, pas lirimit me kusht për arsye shëndetësore, u zhduk sërish.
Hetuesit bangladeshas arritën të gjurmojnë më pas lëvizjet e tij në Portugali dhe më tej në Shqipëri, ku u arrestua më 1 shkurt të vitit të kaluar në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit.
Sipas avokatit të tij mbrojtës nëse ekstradimi ndodh ai rrezikon të përballet me një dënim me vdekje.
Ndërkohë, mediat në Bangladesh raportojnë se Rana ka depozituar një kërkesë për azil politik në gjykatat shqiptare, duke pretenduar se ndaj tij ekziston edhe një akuzë e rreme për vrasje, çka sipas tij do ta çonte drejt ekzekutimit nëse kthehej në atdhe.
Por policia në Bangladesh ka mohuar ekzistencën e një kallëzimi të tillë penal. Hetimet ndaj tij vazhdojnë, ndërsa autoritetet e Bangladeshit kanë kërkuar nga Interpoli rinovimin e urdhër-arrestit ndërkombëtar, me qëllim që Sohel Rana të ekstradohet dhe të përballet me drejtësinë për mashtrimin që ka prekur mijëra qytetarë në vendin e tij.


