Mjekët e Traumës zbardhin gjendjen e të plagosurve nga aksidentit: Dy të mitur të lënduar, pesë pacientë po operohen
Spitali Universitar i Traumës ka dhënë informacion mbi gjendjen e personave të lënduar nga aksidenti i rëndë në autostradën Tiranë–Durrës, ku një person humbi jetën dhe 12 të tjerë po marrin trajtim mjekësor.
Sipas stafit mjekësor, në spital mbërritën gjithsej 13 persona. Një burrë rreth 40 vjeç u transportua pa shenja jete, ndërsa 12 të plagosurit morën menjëherë ndihmën e ekipeve multidisiplinare.
Mes të lënduarve ndodhen edhe dy të mitur.
Një fëmijë rreth 8-9 vjeç është në gjendje të rëndë dhe po i nënshtrohet trajtimit të specializuar, ndërsa një 14-vjeçar ndodhet në repartin e observimit, në gjendje të stabilizuar dhe nën monitorim të vazhdueshëm.
Pesë pacientë të moshës 30 deri në 50 vjeç po i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale. Dy prej tyre janë shtetas të huaj, identiteti dhe shtetësia e të cilëve nuk janë konfirmuar ende, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
Për identifikimin e tyre është kërkuar edhe ndihma e Policisë së Shtetit.
Pesë të plagosur të tjerë ndodhen në gjendje të stabilizuar dhe po trajtohen në urgjencë, pa rrezik për jetën sipas vlerësimit aktual të mjekëve.
Spitali i Traumës bën me dije se i gjithë personeli mjekësor dhe ai mbështetës vijon të jetë në gatishmëri të plotë për trajtimin e të plagosurve. Deri në këto momente, të gjithë personat e lënduar po marrin shërbim në Spitalin Universitar të Traumës dhe nuk ka informacion për transferime në spitale private. Gjendja e secilit pacient po ndiqet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa priten përditësime të tjera mbi ecurinë e tyre shëndetësore.


