Curri tregon për preferencat e turistëve në sezonin veror
Shefi i kuzhinës dhe sipërmarrësi Ardit Curri, i ftuar në emisionin "Epiqendër" të gazetares Sonila Musai, foli për preferencat kulinare të turistëve gjatë sezonit veror, duke theksuar se vizitorët e huaj po orientohen gjithnjë e më shumë drejt ushqimeve të lehta dhe produkteve të freskëta.
Sipas Currit, temperaturat e larta të verës ndikojnë drejtpërdrejt në zgjedhjet e turistëve, të cilët preferojnë gatime të thjeshta dhe të bazuara te produktet sezonale.
Duke bërë një krahasim mes Italisë dhe Shqipërisë, Curri tha se në vendin tonë vazhdon të ketë një prirje më të madhe drejt gatimeve me bazë mishi, ndërsa turistët e huaj preferojnë vakte më të lehta dhe më të freskëta.
Sipas tij, përshtatja e menusë me kërkesat e vizitorëve dhe promovimi i produkteve të freskëta vendase do të ndihmonin jo vetëm në pasurimin e eksperiencës së turistëve, por edhe në forcimin e identitetit gastronomik të Shqipërisë si një destinacion mesdhetar.

