Berberi: Ja kush janë destinacionet e preferuara të shqiptarëve për pushime

Operatori turistik Olger Berberi, i ftuar në emisionin "Epiqendër" të gazetares Sonila Musai, foli për destinacionet që zgjedhin shqiptarët për pushimet jashtë vendit, duke theksuar se Turqia, Greqia dhe Kroacia vijojnë të kryesojnë listën e preferencave.

Sipas Berberit, edhe pse bregdeti shqiptar mbetet një zgjedhje e rëndësishme për pushuesit, një numër i madh shqiptarësh zgjedhin çdo vit të kalojnë pushimet në vende të tjera të rajonit.

Ai tha se interesi nuk kufizohet vetëm te vendet fqinje. Sipas tij, gjithnjë e më shumë shqiptarë po zgjedhin edhe destinacione më të largëta, si Egjipti, Indonezia, Tajlanda apo vendet e Karaibeve në Amerikën Qendrore.

Berberi vlerësoi se Egjipti po fiton popullaritet për shkak të raportit të mirë mes çmimit dhe cilësisë së shërbimit, duke e bërë atë një alternativë tërheqëse për pushuesit shqiptarë.

Megjithatë, ai theksoi se pjesa dërrmuese e turistëve shqiptarë që udhëtojnë jashtë vendit vazhdojnë të orientohen drejt Turqisë, Greqisë dhe Kroacisë, destinacione që prej vitesh mbeten zgjedhjet kryesore për sezonin veror.

EMISIONET