"Media Jo e pavarur" DASH risjell padinë për shpifje të ish-prokurores Imeraj ndaj gazetarit të Ora News
Mangësitë me pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit; mungesa e mediave të pavarura; dhe korrupsioni i vazhdueshëm në qeverisje, në organet e zbatimit të ligjit dhe në institucionet lokale, ishin problemet kryesore në Shqipëri gjatë vitit të kaluar, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut, të botuar sot.
Në deklaratë është përmendur dhe rasti i gazetarit të Ora News Isa Myzyraj ndaj të cilit në qershor të 2022 u ngrit një padi për shpifje nga ish-prokurorja e Tiranës Elizabeta Imeraj.
Në qershor, ish-prokurorja Elizabeta Imeraj ngriti një padi penale kundër gazetarit Isa Myzyraj për shpifje.
Myzyraj raportoi se kishte marrë kërcënime të shumta, të cilat ai pretendoi se ishin reagimi i Imerajt ndaj komenteve të tij në rrjetet sociale gjatë një procesi verifikimi që rezultoi në largimin e saj nga detyra më 27 prill pas akuzave për pasurinë dhe integritetin e saj.
Myzyraj pretendoi gjithashtu se censurë dhe autocensurë kanë ndodhur nga media të tjera gjatë procesit të vetingut të Imerajt. Në fund të vitit çështja mbeti në gjykim në Gjykatën e Rrethit Elbasan.
Qeveria tërhoqi një paketë legjislative kundër shpifjes që ishte miratuar përkohësisht në vitin 2019, pas kritikave nga gazetarët, organizatat e medias dhe Komisioni i Venecias.