SEANCA PLENARE/ Policia me masa të shtuara sigurie te Kuvendi

Pas përplasjeve të ditëve të fundit mes policisë dhe protestuesve pranë Kuvendit, efektivët e uniformave blu janë vendosur sërish në gatishmëri, në rast të një proteste të mundshme.

Por mesa duket “sakrifica” e policisë për të marrë në mbrojtje ligjvënësit e vënë nën akuzë prej 44 ditësh tashmë që kur shpërtheu revolta për atë që ndodhi në Zvërnec të Vlorë më 30 maj, rezulton të jetë e kotë.

Kjo pasi protestuesit kanë vendosur që betejën e tyre ta zhvillojnë çdo pasdite në sheshin para Kryeministrisë dhe jo më para Kuvendit, pasi besojnë se mesazhi më i fortë që shqetëson këtë qeveri është forma paqësore e protestës dhe vazhdimësia e saj e shtrirë në kohë.

TENSIONET PARA KUVENDIT

Në seancën e fundit plenare, disa qytetarë u mblodhën para ambienteve të Kuvendit duke pritur mbërritjen e deputetëve dhe ministrave.

Gjatë protestës pati tensione, ndërsa disa protestues qëlluan me vezë ndaj automjeteve të zyrtarëve, duke sjellë përplasje me forcat e policisë të angazhuara në ruajtjen e rendit.

Në protestat e mëparshme, policia ka shoqëruar dhe arrestuar disa pjesëmarrës, veprim që ka sjellë reagime të forta nga turma dhe ka zgjatur për disa ditë përplasjet mes protestuesve dhe institucioneve të rendit.

Në protestat e mëparshme, qytetarët janë zhvendosur edhe para Komisariatit të Policisë Nr. 3, duke kërkuar lirimin e personave të ndaluar.

Pas masave të vendosura nga Gjykata e Tiranës ndaj disa protestuesve, policia vijon të monitorojë situatën pranë Kuvendit dhe zonave përreth.

Deri tani, nuk ka një njoftim zyrtar për organizimin e një proteste të re, por forcat e rendit janë përgatitur për çdo skenar të mundshëm.

NDIQNI PUNIMET E SOTME PARLAMENTARE NË KUVENDIN E SHQIPËRISË

EMISIONET