Shqisa e gjashtë e trupit, sinjalet që na tregojnë çfarë po ndodh brenda nesh

Kur flasim për shqisat njerëzore, zakonisht mendojmë për pesë të njohurat: shikimin, dëgjimin, nuhatjen, shijen dhe prekjen. Por shkenca po i kushton gjithnjë e më shumë vëmendje një aftësie tjetër të trupit, e quajtur interoception, që lidhet me mënyrën si ne perceptojmë sinjalet që vijnë nga brenda organizmit.
Kjo shqisë e padukshme na ndihmon të kuptojmë rrahjet e zemrës, frymëmarrjen, urinë, etjen, temperaturën e trupit, lodhjen apo edhe ndjesinë kur diçka nuk shkon si duhet.
Edhe pse nuk e vëmë re shpesh, interoception funksionon gjatë gjithë kohës. Ajo na bën të kërkojmë ujë kur kemi etje, të largohemi nga nxehtësia kur temperatura rritet, të pushojmë kur trupi ka nevojë dhe të reagojmë ndaj situatave që na shkaktojnë parehati.
Lidhja mes trupit dhe emocioneve
Studiuesit po analizojnë gjithnjë e më shumë rolin e kësaj shqise në mënyrën si përjetojmë emocionet. Sipas kërkimeve të fundit, mënyra si trupi ynë interpreton sinjale si rrahjet e zemrës apo frymëmarrja mund të ndikojë në mënyrën si e shohim një situatë.
Për shembull, një person që përjeton ankth mund të ndiejë më fort rrahjet e zemrës gjatë një bisede apo një situate sociale. Kjo ndjesi fizike mund të ndikojë në mënyrën si ai e percepton momentin, duke e bërë atë të duket më stresues apo kërcënues.
Nga ana tjetër, disa studime kanë treguar se njerëzit që arrijnë të dallojnë më saktë sinjalet e trupit mund të kenë një stabilitet më të madh emocional në situata të caktuara, si gjatë urisë apo lodhjes.
Një fushë e re studimi për shëndetin mendor
Interoception po studiohet edhe në lidhje me gjendje si ankthi, depresioni, çrregullimi i stresit post-traumatik dhe çrregullimet e të ngrënit.
Në rastin e anoreksisë nervore, disa studiues po shqyrtojnë mundësinë që trupi të përpunojë ndryshe sinjalet e urisë, duke e bërë më të vështirë njohjen dhe interpretimin e tyre.
Megjithatë, kjo fushë mbetet ende në zhvillim dhe shkencëtarët nuk kanë një qëndrim të unifikuar për të gjitha aspektet e saj. Disa mendojnë se koncepti është shumë i gjerë dhe përfshin shumë procese të ndryshme të trupit dhe trurit.
Sinjalet që trupi dërgon çdo ditë
Ajo që duket gjithnjë e më e qartë është se trupi komunikon vazhdimisht me ne. Rrahjet e zemrës, frymëmarrja, uria, lodhja apo tensioni nuk janë thjesht reagime fizike, por mesazhe që na ndihmojnë të kuptojmë gjendjen tonë.
Aftësia për t’i dëgjuar këto sinjale mund të jetë një pjesë e rëndësishme e mënyrës si kujdesemi për veten, duke i kuptuar ato pa i shpërfillur dhe pa i kthyer menjëherë në alarm.


