Kupa e Botës me 64 kombëtare? Infantino konfirmon se FIFA do ta shqyrtojë

Kupa e Botës me 64 kombëtare? Infantino konfirmon se FIFA do ta

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka konfirmuar se organizata do të shqyrtojë mundësinë e zgjerimit të Kupës së Botës 2030 nga 48 në 64 kombëtare. Çështja pritet të diskutohet pas përfundimit të Botërorit 2026, ndërsa synimi është t'u jepet më shumë vendeve mundësia për të marrë pjesë në turneun më të madh të futbollit.

Infantino u shpreh se një format me 64 skuadra do t'i lejonte më shumë kombëtareve të ëndërrojnë pjesëmarrjen në Kupën e Botës, duke rritur njëkohësisht zhvillimin dhe konkurrencën e futbollit në nivel global.

Sipas tij, organizimi i Kupës së Botës duhet t'i shërbejë të gjithë botës dhe jo vetëm vendeve me traditë në futboll. Ai vlerësoi se shumë kombëtare kanë bërë përparim të dukshëm vitet e fundit dhe se pjesëmarrja në një turne të tillë është një nxitje e rëndësishme për zhvillimin e tyre.

Kreu i FIFA-s e cilësoi si të suksesshëm formatin me 48 ekipe, duke përmendur ecurinë e kombëtareve afrikane në fazën me eliminim direkt. Sipas tij, rritja e numrit të pjesëmarrësve ka krijuar më shumë mundësi për përfaqësimin e kontinenteve që më parë kishin më pak vende në turne.

Megjithatë, ideja për një Botëror me 64 kombëtare ka hapur debat në botën e futbollit. Një pjesë e trajnerëve dhe specialistëve vlerësojnë se zgjerimi i mëtejshëm mund të ulë rëndësinë e fazës kualifikuese dhe prestigjin e vetë Kupës së Botës.

Turneu aktual është i pari në histori që zhvillohet me 48 kombëtare, ndërsa propozimi për ta çuar numrin në 64 pritet të jetë një nga temat kryesore në diskutimet e FIFA-s gjatë periudhës pas Botërorit 2026.

EMISIONET