Kur biseda kthehet në monolog, çfarë është “narcizmi bisedor” dhe si ta dalloni

Kur biseda kthehet në monolog, çfarë është

Ka biseda që nuk ndihen si një shkëmbim mes dy njerëzve, por si një monolog ku njëri flet dhe tjetri mbetet vetëm dëgjues. Ti nis të tregosh diçka që të ka ndodhur, por personi përballë gjen menjëherë mënyrën për ta kthyer historinë te vetja.

“Kam pasur një javë shumë të vështirë”, thua ti. Përgjigjja vjen menjëherë: “As nuk e imagjinon çfarë më ka ndodhur mua”. Ndërsa një lajm i mirë që ndan, mund të kthehet shpejt në një krahasim me sukseset e tjetrit.

Kjo mënyrë komunikimi njihet si narcizëm bisedor. Nuk është një diagnozë mjekësore dhe nuk do të thotë automatikisht se një person ka çrregullim narcistik të personalitetit. Termi përdoret për të përshkruar një sjellje ku biseda zhvendoset vazhdimisht drejt një personi të vetëm.

Kur topi i bisedës nuk kthehet më
Psikiatrja Sue Varma e krahason një bisedë të shëndetshme me një lojë me top: një person e hedh, tjetri e kap, e mban për pak dhe më pas e kthen.

Në rastin e narcizmit bisedor, personi tjetër e kap topin dhe nuk e kthen më. Biseda mbetet e përqendruar vetëm te përvojat, problemet apo sukseset e tij.

Kjo sjellje nuk vjen gjithmonë nga dëshira për të dominuar apo për të lënduar dikë. Në disa raste lidhet me pasigurinë, ankthin social, frikën nga heshtja ose zakone të krijuara ndër vite. Por rezultati shpesh është i njëjtë: personi përballë ndihet i padëgjuar dhe i pavlerësuar.

Shenja që tregojnë një bisedë të njëanshme
Një nga shenjat më të zakonshme është ajo që sociologu Charles Derber e quajti “shift response”, pra zhvendosja e menjëhershme e fokusit te vetja.

Për shembull:

Ti: “Jam shumë e stresuar nga puna këtë javë.”
Tjetri: “Po unë? Unë kam kaluar javën më të keqe të jetës.”

Në vend që të pyesë “Çfarë ndodhi?” ose “Si po ndihesh?”, ai e zhvendos menjëherë bisedën në përvojën e tij.

Një tjetër shenjë është kur dikush duket sikur po dëgjon, por në të vërtetë vetëm pret momentin për të ndërhyrë. Nuk kap detaje, nuk bën pyetje dhe sapo krijohet një hapësirë e vogël në bisedë, rikthehet te historia e vet.

Gara e padukshme: kush e ka më keq?
Në disa biseda krijohet një garë e heshtur ku çdo përvojë duhet të tejkalohet.

Ti ke një problem? Tjetri ka një më të madh.
Ti je lodhur? Ai është më i lodhur.
Ti ke një sukses? Ai ka një histori edhe më të madhe.

Në këtë pikë, biseda humbet qëllimin e saj kryesor: lidhjen mes njerëzve.

Një person që dëgjon me vëmendje do të reagojë ndryshe. Nëse i tregon për një sukses, ai pyet: “Si u ndjeve?”, “Si ndodhi?”, “Sa bukur, më trego më shumë”. Ai nuk përpiqet ta zhvendosë menjëherë vëmendjen te vetja.

Kur kërkohet audiencë, jo komunikim
Narcizmi bisedor mund të shfaqet edhe si nevojë e vazhdueshme për vëmendje, miratim dhe lavdërim. Personi nuk kërkon gjithmonë një mendim apo një shkëmbim real, por kërkon që të dëgjohet dhe të konfirmohet.

Megjithatë, është normale që të gjithë ndonjëherë të flasim më shumë për veten, të ndërpresim pa dashje ose të tregojmë një histori tonën për të krijuar afërsi. Problemi lind kur kjo bëhet model i përsëritur dhe çdo bisedë përfundon duke u kthyer te “unë”.

Si të ndryshojmë mënyrën si komunikojmë
Nëse dikush e vëren këtë sjellje te vetja, ndryshimi mund të nisë me hapa të thjeshtë: të bëjë më shumë pyetje, të dëgjojë pa përgatitur menjëherë përgjigjen dhe të lërë hapësirë që edhe personi tjetër të shprehet.

Një pyetje e thjeshtë mund të ndryshojë një bisedë: “A po e dëgjoj vërtet tjetrin, apo thjesht po pres radhën time për të folur?”

Sepse një bisedë e mirë nuk është një skenë ku njëri flet dhe tjetri duartroket. Është një shkëmbim ku të dy njerëzit ndihen të dëgjuar.

EMISIONET