“Kova për ujin dhe tualete në gjendje skandaloze”, denoncimi për Spitalin e Peshkopisë

“Kova për ujin dhe tualete në gjendje skandaloze”,

Një qytetare ka ngritur shqetësimin për kushtet në Spitalin Rajonal të Peshkopisë, duke denoncuar gjendjen që, sipas saj, lë për të dëshiruar dhe nuk përputhet me standardet që duhet të ofrojë një institucion shëndetësor.

Ajo thotë se tualetet e spitalit ndodhen në gjendje skandaloze higjieno-sanitare, ndërsa lavamanët nuk funksionojnë. Për shkak të mungesës së ujit në këto ambiente, përdoren kova për mbushjen dhe sigurimin e ujit, një situatë që ngre pikëpyetje mbi kushtet bazë të higjienës.

Qytetarja thekson se në ambientet e spitalit nuk mungon papastërtia, ndërsa një pjesë e pajisjeve dhe infrastrukturës paraqiten të dëmtuara. Sipas saj, kjo gjendje krijon vështirësi jo vetëm për pacientët dhe familjarët e tyre, por edhe për stafin që punon çdo ditë në këtë institucion.

Denoncimi vjen në një kohë kur qytetarët presin shërbime shëndetësore cilësore dhe kushte dinjitoze në institucionet publike. Mbetet për t’u parë nëse autoritetet përgjegjëse do të reagojnë ndaj këtyre shqetësimeve dhe do të ndërmarrin masa për përmirësimin e situatës apo do vazhdojnë me propagandën e rrjeteve sociale për një shëndetësi europiane e bashkëkohore./JOQ

EMISIONET