Hapet baza e Wizz Air në Prishtinë / Basha: Hap i rëndësishëm për zhvillimin e aviacionit civil në Kosovë

Hapet baza e Wizz Air në Prishtinë / Basha: Hap i

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, e ka cilësuar hapjen e bazës së kompanisë ajrore Wizz Air në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” si një zhvillim të rëndësishëm për aviacionin civil në Kosovë.

Përmes një reagimi, Basha tha se pas diskutimeve me drejtuesit e kompanisë, Wizz Air është bindur se Kosova po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për investitorët ndërkombëtarë dhe se sektori i aviacionit po shënon përparim.

Sipas tij, prioritet i institucioneve mbetet zgjerimi i rrjetit të fluturimeve, shtimi i destinacioneve të reja dhe ofrimi i çmimeve më të favorshme për qytetarët.

“Republika e Kosovës sot shënoi një moment të rëndësishëm në fushën e aviacionit civil, me hapjen e bazës së kompanisë Wizz Air në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’. Kjo tregon se vendi ynë po bëhet gjithnjë e më tërheqës për investitorët ndërkombëtarë dhe se aviacioni në Kosovë po forcohet nga viti në vit”, u shpreh Basha.

Ai theksoi se zgjerimi i operimeve të kompanive ndërkombëtare ajrore do të ndikojë në rritjen e lidhjeve të Kosovës me Evropën dhe tregjet globale.

 

Sipas Bashës, linjat e reja ajrore dhe rritja e numrit të destinacioneve përbëjnë hapa konkretë drejt zhvillimit të transportit ajror dhe lehtësimit të udhëtimit për qytetarët e Kosovës.

EMISIONET