Kim për Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit: Demokracia kërkon liri të shprehjes dhe qasje në informacione faktike

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ambasadorja amerikane Yuri Kim deklaron se Shtetet e Bashkuara të Amerikës riafirmojnë mbështetjen për lirinë e shtypit dhe për sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të medias në të gjithë botën, përfshirë Shqipërinë.

Diplomatja amerikane thekson se demokracia kërkon liri të shprehjes dhe qasje në informacione faktike dhe të sakta të siguruara nga media të pavarura.

"Media e pavarur është thelbësore për demokracitë e gjalla dhe të qëndrueshme. Gazetaria ka një rol kyç në luftën kundër korrupsionit, në nxjerrjen në pah të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe në shpërndarjen në publik të informacionit të besueshëm. Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Medias, ne falënderojmë gazetarët dhe punonjësit e medias në të gjithë botën."

Ndërkohë një ditë më parë DASH publikoi një raport që evidentohen problemet e medias dhe gazetarëve, vrasjet e këtyre të fundit dhe burgosja në masë gjatë 2020.

“Janë dhjetra raste të punonjësve të medias të cilët janë ngacmuar, sulmuar dhe madje të vrarë për punën e tyre. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve raportoi se në vitin 2020, numri i gazetarëve të vrarë në shenjë hakmarrje për raportimin e tyre u dyfishua, me Meksikën dhe Afganistanin që panë numrin më të madh të vrasjeve. Numri i gazetarëve të burgosur për raportimin e tyre në vitin 2020 arriti nivelin më të lartë”.

Sipas DASH, pandemia ka ofruar një pretekst për qeveritë shtypëse për të intensifikuar presionin mbi mediat e pavarura.

Po ashtu raportohet me shqetësim fakti se janë shtuar përjekjet e qeverive për të  kufizuar publikun nga informacioni që vjen prej internetit.

“Ne jemi të shqetësuar nga përpjekjet e rritura të qeverive për të privuar publikun nga informacioni dhe njohuritë duke kontrolluar aksesin në internet dhe censurimin e përmbajtjes, përfshirë përmes përdorimit të gjerë të kufizimeve të rrjetit”.

Edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, vlerëson se liria e shtypit do të thotë siguri për të gjithë.

"Liria e shtypit është një gur themeli i shoqërive demokratike, e cila mund të lulëzojë vetëm nëse qytetarët kanë qasje në informacion të besueshëm dhe mund të bëjnë zgjedhje të informuara. Liria e shtypit do të thotë siguri për të gjithë".

EMISIONET