"La kudo emrin e mirë", Covid i merr jetën gjyqtarit të njohur, mesazhi i kolegëve në Gjykatën e Lartë

"La kudo emrin e mirë",  Covid i merr jetën gjyqtarit

Covid-19 i ka marrë jetën gjyqtarit, Durim Kadiu, pas disa javësh i infektuar nga virusi.

Lajmin e ka bërë të ditur miku i tij, Kastriot Dervishi, i cili shkruan se nuk mund ta besojë vdekjen e mikut të tij. 

"E pabesueshme! Miku im i mirë, Durim Kadiu nuk jeton më. Sëmundja e mallkuar Covid 19, e cila e sfiliti për disa javë, i mori jetën. Nuk do kemi më midis nesh njeriun fisnik, gjyqtarin dhe familjarin shembullor. Njeri i ligjit nga viti 1994, gjyqtar, kryetar i Gjykatës së Kavajës, drejtor i kabinetit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe ndihmësgjyqtar i Gjykatës së Lartë, Durimi la kudo emrin e një njeriu të mirë dhe profesionisti të përkushtuar. Ngushëllime për nënën e tij, bashkëshorten dhe vajzat. Shpirti i tij pushoftë në paqe në amshim!"

Edhe Gjykata e Lartë përmes një postimi në faqen zyrtare në facebook shpreh ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të kolegut Durim Kadiu.  

"Ndarja e tij nga jeta, ka trishtuar shumë bashkëpunëtorë të tij, kolegë e miq në Gjykatën e Lartë. Me anë të këtij mesazhi, dëshirojmë të shprehim edhe një herë falenderimet tona si gjykatë, për mundësinë që na u dha, për të patur pranë nesh, gjatë gjithë këtyre viteve, një bashkëpunëtor profesionist dhe të përkushtuar si Durim Kadiu dhe njëkohësisht i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes".

Kadiu ka ushtruar detyrën e gjyqtarit prej vitit 1994, ka drejtuar Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë, Kabinetin e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe vitet e fundit ka punuar si ndihmësmagjistrat në Gjykatën e Lartë.

 

EMISIONET