Tragjedi gjatë koncertit në "Madison Square Garden", humb jetën një 51-vjeçar pas një rënieje nga lartësia!

Një ngjarje tragjike është regjistruar gjatë një koncerti në Madison Square Garden në New York, ku një burrë 51-vjeçar humbi jetën pasi ra nga një lartësi e konsiderueshme brenda arenës.
Sipas Departamentit të Policisë së New York-ut, viktima është identifikuar si Paul Cooker, banues në Connecticut. Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, ku e gjetën 51-vjeçarin pa ndjenja dhe me plagë të rënda, që dyshohet se ishin shkaktuar nga rënia.
Cooker u transportua me urgjencë në spital, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk mundi t'u mbijetonte plagëve të marra.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e incidentit, ndërsa deri më tani është përjashtuar mundësia e një akti kriminal.
Sipas mediave amerikane, Paul Cooker kishte shkuar në koncert së bashku me bashkëshorten e tij për të ndjekur performancën e grupit rock Goose, kur ndodhi tragjedia.

