Emigrantët në Itali ankohen për vonesa në marrje e pasaportave biometrike në konsullatat shqiptare

Emigrantët në Itali ankohen për vonesa në marrje e

Emigrantët shqiptarë në Itali prej disa ditësh po ankohen për vonesat përtej limiteve, të rinovimit të pasaportave biometrike e të kartave elektronike të identitetit.

Në rrjetet sociale duke iu adresuar Ambasadës e Konsullatave, emigrantët shqiptarë shprehin shqetësimin se prej më shumë se dy muajsh janë në pritje të marrjes së dokumentit të rinovuar zyrtar shqiptar.

Në veçanti ankimet i adresohen Konsullatës së Milanos ku mjaft emigrantë shprehen se prej muajit shkurt 2021, janë në pritje të mbërritjes së pasaportës apo të kartës së identitetit shqiptar. 

Komunikimi i fundit i Konsullatës së Milanos mban datë 27 prill ku informon se në zyrat e saj, kanë mbërritur dokumentet e rinovuara për qytetarët që kanë aplikuar për pasaporta biometrike e karta identiteti elektronik deri në datën 26 mars 2021.

Në bazë të normativës anticovid e vendosur nga qeveria italiane, autoriteti diplomatik shqiptar informon se dokumentet e rinovuara do t'u shpërndahen emigrantëve shqiptarë përmes shërbimit postar e kundrejt pagesë së caktuar. Një vendim ky që padyshim sjellë kosto ekonomike shtesë për emigrantët.

"Por kujdes, informon Konsullata, për të përfituar nga ky shërbim duhet të dërgoni e-mail në adresën zyrtare të vënë në dispozicion".

Institucionet diplomatike shqiptare në Itali, zbatojnë një orar pune që për ditët festive respekton të gjitha festat zyrtare italiane e ato shqiptare. 

Pra personeli diplomatik e administrativ i zyrave të Ambasadës e Konsullatës, është pushim si në festa fetare italiane, ashtu dhe në festat fetare shqiptare, si në festa zyrtare institucionale italiane ashtu dhe në ato shqiptare.

E fakti, se që prej datës 27 prill 2021 (pra gati një javë më parë) nuk ka freskim të informacionit në portalin e Konsullatës, mund të justifikohet me festën e Pashkëve ortodokse në Shqipëri.

Në postimin e fundit të Konsullatës së Milanos, lexon shqetësimet e emigrantëve të cilët shprehen se prej muajit shkurt po presin dokumentet e tyre. 

"Nuk përgjigjen në telefon e as nuk kemi marrë përgjigje për e-mailet tona", shkruajnë ata. 

E po ashtu pa përgjigje kanë mbetur dhe pyetjet e tyre në faqen e Facebook-ut të kësaj konsullate.

Sipas raportit të fundit të Ministrisë Italiane të Çështjeve Sociale e Punës, 60% e emigrantëve shqiptarë jetojnë në Veri të Italisë e 1 /5 e tyre në rajonin e Lombardisë, tregues që shpreh rëndësinë që Konsullata shqiptare e Milanos ka për komunitetin shqiptar e praktikat e tyre administrative e ligjore.

Të dhënat zyrtare informojnë se në Itali jetojnë sot 416 703 shqiptarë të rregullt. Mbi 250 mijë prej tyre jetojnë në Veri të Italisë  e rreth 80-90  mijë në rajonin e Lombardisë, ku kryeqendra është qytetin i Milanos, ku ndodhet dhe Konsullata shqiptare.

 

EMISIONET