“E ruanin dhe i dërgonin video”/ Artan Tafani rrëfen në GJKKO planin për vr*sjen e Rexhep Ginës: Ishte punë hasmërie, e diskutuam në Greqi

Bashkëpunëtori i drejtësisë, Artan Tafani, rrëfeu të mërkurën në Gjykatën e Posaçme, detaje të planit për vrasjen e Rexhep Ginës, ngjarje që nuk është realizuar.
Në seancën ku nuk ishte i pranishëm i pandehuri Laert Haxhiu, Tafani iu përgjigj pyetjeve të avokatit të tij, duke treguar se planifikimi për eleminimin e Ginës kishte nisur në Greqi.
“Në korrik 2022 kemi kryer veprime për vrasjen e Rexhep Ginës. Ginën e njoh nga fotot, personalisht jo. Për vrasjen e Ginës interesohej Laerti. Ishte për punë hasmërie, se Gina ka qenë i grupit të Aldo Bares. Kanë pasur konflikt për punë pronash me xhaxhain e Laertit. Për herë të parë për këtë vrasje kemi diskutuar në Athinë, diku nga korriku a nga gushti. Në Greqi e diskutuam. Ma tha mua. Bënte bisedë edhe me Marjon Diamantin, që njihte një polic grek. Me anë të atij policit do gjenim Rexhep Ginën, se jetonte në Athinë. Diskutimi është bërë mes meje, Laertit, Marjo Diamantit, që është vrarë me pas në Greqi dhe Xhino Bajramit”, tha Tafani.
I penduari tregoi se kjo bisedë ishte bërë në vitin 2021, nga ku ai ishte kthyer më shpejt në Shqipëri, ndërsa Laert Haxhiu në muajin tetor.
“Më vonë kemi diskutuar për vrasjen. E ruante Laerti Ginën. Jo Laerti vetë, por njerëz të tij. E shikonin sa herë kalonin tek lokali i tij dhe i çonin ndonjë video a foto. Për të vrarë Rexhep Ginën kam shkuar me Fatjon Veliun”, u shpreh Tafani.
Më herët, Tafani ka rrëfyer se bashkë me Fatjon Veliun ka shkuar i veshur me rroba grash, me peruke dhe me një maskë silikoni në fytyrë, por se në momentin e fundit kishte vendosur të mos e kryente vrasjen, për shkak se ishte grindur më herët me Laert Haxhiun./TemA


