Droni me 300 kg ekspl*ziv pranë Lefkadës, reagon Ukraina pas protestës zyrtare të Greqisë

Droni me 300 kg ekspl*ziv pranë Lefkadës, reagon Ukraina pas

Ministria e Jashtme e Ukrainës ka reaguar për herë të parë pas notës së protestës që Greqia i dërgoi Kievit lidhur me dronin detar pa pilot të gjetur pranë ishullit Lefkada.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Heorhii Tykhyi, shprehu keqardhje për incidentin, duke e lidhur atë me situatën e krijuar nga lufta dhe agresioni i vazhdueshëm rus ndaj Ukrainës.

Ai falënderoi Greqinë për mbështetjen e dhënë ndaj Kievit që nga nisja e pushtimit rus dhe vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve.

Sipas autoriteteve ukrainase, siguria detare dhe aktiviteti i ashtuquajtur i “flotës në hije” ruse mbeten një shqetësim i përbashkët për Ukrainën dhe Greqinë. Kievi shprehet i angazhuar për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe sigurinë e lundrimit civil, duke shpresuar që incidente të tilla të mos përsëriten.

Ndërkohë, raporti i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Greke arrin në përfundimin se droni nuk ka mbërritur rastësisht në zonën ku u zbulua. Sipas hetimeve paraprake, ekziston mundësia që ai të ketë rënë nga një anije që lundronte në rajon, ndërsa operatorët e tij ndodheshin në afërsi.

Autoritetet greke dyshojnë se objektivi i dronit mund të ketë qenë e ashtuquajtura “flotë në hije” ruse, e përbërë nga anije që transportojnë naftë ruse në Mesdhe. Hetimet po vazhdojnë edhe për të përcaktuar nëse në zonë kanë operuar mjete të tjera të ngjashme.

Ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, ka informuar partnerët e Bashkimit Evropian për incidentin, ndërsa Athina ka bërë të ditur se nuk do të lejojë zhvillimin e operacioneve ushtarake pranë territorit grek.

Droni detar u gjet rreth katër javë më parë nga peshkatarë në një shpellë pranë Lefkadës. Brenda tij u zbuluan tre detonatorë dhe rreth 300 kilogramë lëndë shpërthyese, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë në rajon.

EMISIONET