Dëshmon Dumani: Palushi e dinte që fshihesha tek Alibej, i merrja leje dhe dilja rrugëve të qytetit

Dëshmon Dumani: Palushi e dinte që fshihesha tek Alibej, i merrja leje

Edhe pse ndodhej në arrati dhe kërkohej në mënyrë të vazhdueshme nga Policia e Shtetit si pjesëmarës në disa krime, rezulton se Nuredin Dumani, ka jetuar në Elbasan, mes punonjësve të policisë dhe askush nuk e ka ndalur.

Madje përkundrazi, policia e Elbasanit ka pasur informacion për lëvizjet e Dumanit në qytet dhe nuk ndërhynte për ti vënë prangat këtij njeriu që qarkullonte si vrasës me pagesë.

Baza e Dumanit në Elbasan ishte pikërisht shtëpia e Erjon Alibeajt, shtëpi në të cilën ka shkuar dhe polici Leonard Palushi, por që çuditërisht në asnjë moment nuk ka pikasur prezencën e Dumanit, i cili e monitoronte përmes kamerave, përmes një dhome tjetër të shtëpisë.

Palushi kishte informacion edhe kur Dumani dilte në rrugët e Elbasanit, por sërish nuk e arrestonte.

Kjo pasi Dumani kishte arritur të fitonte “imunitet” për shkak se strehohej brenda shtëpisë së Erjon Alibeajt, që në Elbasan njihet me nofkën “Krymi”.

Fakti që policia e Elbasanit ka pasur dijeni për vendodhjen dhe lëvizjet e Nuredin Dumanit në qytet, del qartë në dosjen hetimore të efektivit të policisë, Leonard Palushi.

Emri i këtij të fundit është përmendur për herë të parë nga Nuredin Dumani, i cili u ka treguar tre prokurorëve të SPAK-ut, se Erjon Alibeaj kishte shefin e sektorit të krimeve që e mbronte.

Dhe për këtë shërbim, Alibeaj i kishte dhuruar një “Mercedes-Benz C Class 3000”.

Dhe veç dhurimit të makinës, Erjon Alibej, i ka dhënë dhe 1 mijë euro Palushit me qëllim vendosjen e impiantit të gazit.

Dëshmia e Dumanit, tregon qartë se sa e inkriminuar është policia me krimin dhe shërbimet që ajo kryen ndaj eksponentëve kriminalë.

Në dëshminë e tij, Dumani shprehet se:

”…në vitin 2020, ky punonjës Leonard Palushi, ka marrë nga Erioni një makinë tip “Mercedes Benz C Class”, me benzinë, ngjyrë mjalti. Përveç makinës, Erioni i ka dhënë edhe 1000 Euro për t’i vënë impiantin e gazit. Gjatë kësaj kohe unë qëndroja në Elbasan te shtëpia e Erionit…

Këtë punonjës policie, e kam parë disa herë nëpërmjet kamerave të Erionit, kur vinte që takohej me Erionin. Mbaj mend, që në një rast ky punonjës policie, ka ardhur me një person tjetër te shtëpia e Erionit për t’u takuar me të.

Ai ka ardhur me një makinë “Discovery të Bardhë”, të cilën e kam parë nga kamerat e Erionit. Personi tjetër ishte thinjosh, i gjatë, flokët i mbante në një krah, dhe mund të ishte rreth 55-60 vjeç.

Nëse e shikoj këtë person mund ta njoh dhe e identifikoj…Kur unë lëvizja në Elbasan, isha i sigurtë se policia nuk më arrrestonte, pasi për makinën që unë lëvizja ishte i informuar ky punonjës policie…”-ka treguar Nuredin Dumani.

Përgjatë 10 muajve hetime, SPAK në datën 12 janar 2023 ka marrë në pyetje dhe Erion Alibeaj, të cilin e ka pyetur në lidhje me takimet që ka pasur me oficerin e policisë së Elbasanit, Leonard Palushi.

Alibeaj ka deklaruar se takimin e parë me Leonardin e ka patur në policinë e Elbasanit, kur është vetëdorëzuar në ambjentet e kësaj policie.

Alibeaj ishte shpallur në kërkim për plagosjen në vitin 2018, të Xhon Rustës, të cilin e qëlloi me 3 plumba pistolete, por pa mundur ta vrasë atë.

Ai ka deklaruar se në polici se ka biseduar gjatë me Leonardin për të gjithë historikun e ngjarjeve që i kishin ndodhur familjes së tij gjatë 1 viti dhe vrasjen e vëllait.

Lidhur me këto ngjarje, ia ka shpjeguar Leonardit me detaje për aq sa ka ditur, në lidhje me atentatorët, porositësit e këtyre vrasjeve.

Më pas, Erion Alibesj, pasi ka dalë nga burgu dhe ka qëndruar në masën “arrest në shtëpi”, me Leonard Palushin ka patur edhe 4-5 takime, në periudhën e fund shkurtit ose fillimit të muajit mars 2020.

Në takimet që ka zhvilluar me Leonardin, ka deklaruar se i jepte atij informacione me vlerë në lidhje me personat, vendodhjet e tyre, përfshirjet e tyre, në ngjarje që i patën ndodh familjarëve të tij.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

EMISIONET