“Pema e parave” që mbahet në shumë shtëpi fsheh një rrezik/ Mund të jetë toksike për qentë dhe macet

“Pema e parave” që mbahet në shumë shtëpi fsheh

Krasula, e njohur gjerësisht si pema e parave, pema e fatit ose pema e miqësisë, është një nga bimët më të përhapura në shtëpi. Për shumë njerëz ajo lidhet me begatinë, mirëqenien dhe fatin e mirë, ndaj shpesh dhurohet edhe në raste të veçanta, si hyrja në një banesë të re.

Por pas pamjes së saj dekorative dhe kujdesit të thjeshtë fshihet një detaj që shumë pronarë e zbulojnë vetëm kur kafshët e tyre kanë probleme. Krasula konsiderohet toksike për qentë dhe macet dhe duhet mbajtur larg tyre.

Nëse një kafshë shtëpiake kafshon ose gëlltit pjesë të bimës, mund të shfaqë simptoma si të vjella, plogështi, mungesë koordinimi dhe vështirësi në ecje. Substanca që shkakton toksicitetin e krasulës ende nuk është identifikuar plotësisht, por në rast gëlltitjeje këshillohet kontaktimi me veterinerin.

Për të shmangur problemet, bima duhet vendosur në një vend ku qentë dhe macet nuk mund të arrijnë. Spërkatësit largues nuk konsiderohen gjithmonë zgjidhje e sigurt, pasi reagimi i kafshëve mund të ndryshojë.

Si të kujdeseni për krasulën
Krasula është një sukulente që kërkon pak mirëmbajtje, por disa rregulla janë të rëndësishme për ta mbajtur të shëndetshme.

Ajo ka nevojë për shumë dritë dhe për tokë që kullon mirë ujin. Një vazo me vrima kullimi dhe dhe për kaktuse ose sukulente ndihmojnë në parandalimin e kalbjes së rrënjëve.

Gabimi më i zakonshëm është ujitja e tepërt. Krasula duhet ujitur vetëm pasi dheu të jetë tharë mirë. Gjatë dimrit, kur rritja e bimës ngadalësohet, ujitja duhet të reduktohet.

Gjethet e rrudhura mund të tregojnë mungesë uji, ndërsa gjethet e buta dhe rënia e tyre shpesh lidhen me lagështinë e tepërt.

Pastrimi i herëpashershëm i gjetheve me një leckë të lagur ndihmon që bima të marrë më shumë dritë dhe të zhvillohet më mirë.

Shumimi dhe krasitja
Krasula mund të shumohet lehtësisht me gjethe ose me prerje kërcelli, sidomos gjatë pranverës dhe verës. Pjesët e prera duhet të lihen pak kohë të thahen para mbjelljes në tokë me kullim të mirë.

Krasitja nuk është e domosdoshme, por mund të përdoret për t’i dhënë bimës formë dhe për të nxitur degëzimin.

Në përgjithësi, krasula mbetet një bimë e qëndrueshme dhe dekorative. Sekreti i mirëmbajtjes së saj është drita e mjaftueshme, ujitja e kontrolluar dhe vendosja në një ambient të sigurt, veçanërisht në shtëpitë ku jetojnë qen ose mace.

 

EMISIONET