Nafta mbi 80 dollarë për fuçi pas përshkallëzimit SHBA-Iran, raportohen sulme ndaj bazave amerikane

Përplasja mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit ka sjellë lëkundje të reja në tregjet ndërkombëtare, ndërsa çmimi i naftës amerikane është rikthyer mbi nivelin e 80 dollarëve për fuçi.
Tensionet janë rritur pas raportimeve për sulme ndaj objekteve strategjike në rajonin e Gjirit Persik. Kompania shtetërore e naftës në Kuvajt njoftoi se një nga objektet e saj kryesore është goditur nga një sulm iranian, ndërsa në Irak raportohet se mbrojtja ajrore është aktivizuar pranë konsullatës amerikane në Erbil për shkak të sulmeve me dronë.
Konflikti nisi pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, me objektiv programet bërthamore dhe raketore të Teheranit, si dhe strukturat e tij aleate në rajon. Përplasja ka shkaktuar shqetësime për furnizimet globale me energji dhe mundësinë e rritjes së inflacionit.
Një pikë kyçe e krizës mbetet Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë. Çdo ndërprerje në këtë zonë mund të ndikojë drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Irani ka njoftuar se ka kryer sulme me raketa dhe dronë ndaj bazave amerikane në Kuvajt, Bahrein dhe Jordani.
Garda Revolucionare iraniane ka bërë me dije se në disa prej këtyre sulmeve janë shkaktuar dëme në objekte ushtarake, përfshirë sisteme radari, depo armësh dhe ambiente për dronë.
Nga ana tjetër, Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM) ka konfirmuar humbjen e dy ushtarëve amerikanë dhe zhdukjen e një tjetër pas një sulmi në Jordani.
Ushtria amerikane ka vijuar operacionet ajrore kundër Iranit, duke goditur objektiva të lidhura me mbrojtjen ajrore, sistemet e monitorimit bregdetar dhe infrastruktura ushtarake.


