Dervishi: Kosova po forcon rolin e saj në standardet ndërkombëtare të transparencës

Presidenti i Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve për të Drejtën e Informimit dhe Aksesin në Informacion (ICIC), njëherazi Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Shqipëri, Besnik Dervishi vlerësoi rolin në rritje të Kosovës në zhvillimin e standardeve ndërkombëtare të transparencës dhe aksesit në informacion.
Gjatë një konference ndërkombëtare të organizuar në Prishtinë me rastin e 15-vjetorit të Autoritetit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe 5-vjetorit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi të Kosovës, Dervishi theksoi se Kosova është shndërruar në një aktor aktiv në strukturat ndërkombëtare të transparencës, përmes pjesëmarrjes në grupet e punës të ICIC dhe rrjeteve evropiane të informimit.
Ai vlerësoi se vendet e rajonit nuk janë më vetëm përfituese të standardeve ndërkombëtare, por po japin gjithnjë e më shumë kontribut në formësimin e tyre. Sipas Dervishit, angazhimi i Kosovës në këto procese dëshmon besimin që komuniteti ndërkombëtar i autoriteteve të informimit i ka dhënë institucioneve të saj.
Në fjalën e tij, ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin mes institucioneve homologe të Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e të drejtës për informim dhe mbrojtjes së të dhënave personale, duke e cilësuar atë një model partneriteti të bazuar në besim, shkëmbim përvojash dhe angazhim të përbashkët.
Konferencën e përshëndeti Albulena Haxhiu, ushtruese e detyrës së presidentit të Republikës së Kosovës, njëherësh kryetare e Kuvendit.
Ajo theksoi se e drejta e qytetarëve për t’u informuar është një nga shtyllat e demokracisë, pasi u garanton atyre mundësinë të kuptojnë se si merren vendimet, si ushtrohet pushteti dhe si administrohen fondet publike. Haxhiu nënvizoi se transparenca dhe mbrojtja e privatësisë janë dy garanci të pandashme të një shteti demokratik: transparenca e bën pushtetin të përgjegjshëm, ndërsa privatësia mbron qytetarin. Duke vlerësuar punën e Agjencisë, Haxhiu theksoi se, në kushtet e zhvillimeve të shpejta teknologjike, roli i saj bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, pasi një qytetar i informuar dhe një qytetar i mbrojtur përbëjnë themelin e një republike demokratike.
Në fjalën e saj, komisionerja Krenare Sogojeva Dërmaku vlerësoi rrugëtimin pesëvjeçar të Agjencisë, duke theksuar se misioni i saj ka qenë ndërtimi i një institucioni modern, transparent dhe në shërbim të qytetarëve. Ajo evidentoi punën në ndërgjegjësimin e publikut për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale, ngritjen e kapaciteteve profesionale në administratën publike dhe sektorin privat, si dhe forcimin e mekanizmave të mbikëqyrjes dhe zbatimit të legjislacionit në këto fusha.
Në konferencë përshëndeti edhe Zdravko Vukić, zëvendëskryetar i Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB) dhe drejtor i Autoritetit Kroat për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili përgëzoi Agjencinë për rezultatet e arritura dhe vlerësoi progresin e Kosovës në këtë fushë.
Ai theksoi se statusi i vëzhguesit në Bordin Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave përfaqëson një hap të rëndësishëm në afrimin me standardet evropiane, duke rikonfirmuar mbështetjen e EDPB-së për forcimin institucional të Agjencisë dhe për avancimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane.
Konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare të mbrojtjes së të dhënave dhe transparencës, të cilët theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe afrimit me standardet evropiane në mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve.


