Beteja për territorin/ Harta e re, PD propozon krijimin e 95 bashkive dhe 13 qarqeve

Partia Demokratike mblodhi grupin e saj parlamentar ku prezantoi propozimet konkrete mbi Reformën Territoriale.

Në ndryshim nga drafti i grupit të Alibeajt, Berisha kërkoi edhe 3 bashki më shumë.

Përveç qarkut të Shkodrës dhe Gjirokastrës që mbeten me numër të pandryshuar, në qartet e tjera është menduar një ndarje e re, duke e çuar numrin total të bashkive nga 61 që janë, në 95.

Në sqarimin e nënkryetarit të Partisë Demokratike,Oerd Bylykbashi, dhe sekretarit të pushtetit vendor të PD-së, Ylli Asllani, qarkut të Korçës, Vlorës dhe Tiranës i shtohen 4 bashki më shumë.

Për Durrësin, Kukësin dhe Beratin janë kërkuar edhe 2 të tjera.

Ndërsa numri më i lartë i është propozuar qarkut të Fierit.

Elbasanit dhe Dibrës sipas PD duhet ti shtohen edhe 3 bashki dhe vetëm 1 Kurbinit.

Berisha tha se ka ardhur momenti për një ndryshim të tillë, pasi ndarja aktuale i ka shërbyer punësimit partiak.

"Sot në 61 njësi të qeverisë vendore personeli që paguhen në këto 61 njësi të marrë sëbashku janë mbi 50% më shumë sesa nga ata që paguheshin nga 420 njësi. Kjo reformë nuk ishte gjë tjetër veçse reforma e punësimit partiak."

Duke e cilësuar si çështjen më të rëndësishme për funksionimin e shtetit,Oerd Bylykbashi, është shprehur se kjo ndarje është e nevojshme për të decentralizuar pushtetin.

"Reforma e vitit 2014 ka dështuar dhe për këtë nuk ka më nevojë për prova. Ka dështuar në aspektin e demokracisë vendore, ka dërmuar tashmë raportin midis të zgjedhurve dhe zgjedhësve.Qartazi ishte një projekt decentralizimi nga Edi Rama për ta bërë më të thjeshtë kontrollin e qeverisjes përmes një dore për të grabitur, për të vjedhur sa më shumë".

Edhe për çështjen e reformës territoriale, PD nuk mundi te bashkohet edhe pse draftet janë pak a shumë të ngjashme.

Ftesat ndaj palëve për tu ulur në një tryezë të përbashkët nuk kanë munguar, por diskutimet kanë mbetur vetëm në nivele grupesh të ndara.

EMISIONET