Banorët e Dajçit, 12 vjet pa pikë uji në shtëpi: Deputetët vetëm na gënjejnë për vota

Prej 12 vitesh banorët e Dajçit në Shkodër vuajnë për ujin e pijshëm. Rrjeti i Ujësjellësit u dëmtua në 2012 ndërsa prej atëherë banorët ujin ose e blejnë, ose e mbushin me bidonë nëpër fshatra të tjerë.

Mes frikës së përmbytjeve, pasi uji gjatë dimrit mund t’u vërshojë si mysafir i padëshiruar në banesat e tyre, paradoksalisht banorët e Dajçit në dimër vuajnë mungesën e ujit të pijshëm.

Prej vitit 2010, kur zona u përball me përmbytjet masive, 11 fshatra mbeten pa furnizim me ujë të pijshëm, pasi rrjeti i tubacioneve të Ujësjellësit doli jashtë përdorimit.

"Rrjeti është tejet i amortizuar dhe nevojitet një ndërhyrje kapilare në mënyrë që të ofrohet uji i pijshëm në mënyrë cilësore, pasi u shkakton probleme në gjak."

Ekspertët e Bankës Botërore e hartuan një projekt për rindërtimin e rrjetit të Ujësjellësit për zonën, por prej vitesh ai nuk dihet se ku ka përfunduar.

"Sa herë vijnë deputetët për fushatë elektorale na premtojnë ujë të pijshëm dhe për vaditje që na thahen arat, nuk kanë bërë asgjë vetëm gënjejnë."

Zbatimi i tij kërkon një fond të madh, për të cilin Bashkia e ka të papërballueshëm, prandaj shpresa e vetme mbetet qeveria.

"Studimi është në letër se nuk ka marrë vëmendjen e qeverisë për investim. Pasojat i vuajnë banorët".

10 mijë banorë të njësisë administrative Dajç detyrohen që prej 12 vitesh si në verë dhe në dimër të sigurojnë ujin e pijshëm duke e blerë ose përmes mbushjes së bidonëve në fshatra të tjerë.

EMISIONET