“Aty ku u arrestova, ndalova për nevoja personale”/ Albi Mëcini: Tritoli u gjet në kanal, nuk është i imi
Albi Mëcini, nuk ka pranuar të flasë përpara gjykatës së Fierit, duke zgjedhur të qëndrojë i heshtur, dhe mos treguar asgjë për implikimin e tij në sekuestrimin e 21 kg tritol.
Por njeriu që dyshohet për dy ngjarje të rënda kriminale, ka pretenduar para avokatit të tij, se s’ka asnjë lidhje me tritolin që policia e gjeti në kanal dhe jo në makinën e tij.
Mëcini, u kap nga forcat operacionale brenda automjetit, teksa ndodhej në afërsi të qëndrës “Viva” në Fier.
Ditën e ngjarjes, Mëcini, po udhëtonte me makinën e marë me qëra nga Tirana në drejtim të Vlorës, ku do pushonte.
Me vete kishte një sasi parash, kartën e ID dhe një çantë me rrobat personale. Gjatë hetimeve ka rezultuar se makinën e kishte marë me qëra në Tiranë, vëllai i Mëcinit, i cili ditën e djeshme ja kishte lënë në përdorim Albit.
I kontaktuar në telefon nga “Ora News”, avokati i Mëcinit, Klaudio Dhima, është shprehur:
“…sasia e tritolit nuk është kapur në makinën e klientit tim. Lënda shpërthyese, është gjendur nga policia e hedhur në një kanal, 4-5 metra larg vendit ku Albi Mëcini, kishte ndaluar për të kryer nevojat personale…”.
Teksa Mëcini, ka qëndruar shumë pranë sasisë së tritolit, kanë ndërhyrë agjentët e policisë së Fierit dhe Vlorës, duke sjellë arrestimin e Mëcinit dhe sekuestruar çantën me 21 kg tritol të ndarë në dy pako, ku ishin instaluar dhe dy aparate telefonike.
Mëcini, e ka mohuar në gjykatë implikimin e tij me sasinë e tritolit, duke pretenduar se do ndodhej në atë vend, pasi po ikte në Vlorë për të pushuar.
Por kjo dëshmi, nuk ka bindur gjykatën e Fierit e cila vendosi të caktojë masën e sigurisë “arrest në burg” për Albi Mëcinin dhe të shpalli në kërkim Arafat Manërkollin dhe Ervis Cukalin nga Tirana.
Sasia e lëndës shpërthyese, dyshohet se do vendosej në banesën ose makinën e një eksponenti të njohur të botës së krimit në Fier.
Ndërsa autorët janë kujdesur që aktivizimin e shpërthimit të realizonin nga distanca me telekomandë dhe në largim e sipër ata sipas prokurorisë do përdornin një makinë të dytë, të cilën kishin planifikuar ta digjnin me benzinë.
Nga hetimet e policisë, Mëcini dyshohet se është pjesë e një grupi kriminal që vepron duke kryer vrasje me pagesë në disa qytete të vendit.
Dirigjimi i këtij grupi kriminal, besohet se kryet nga Admir Tafilaj, një i dënuar nga Shkodra që vuan dënimin me burgim të përjetshëm.
Ndërkohë gjatë ditës së djeshme gjykata e Sarandës, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Albi Mëcinin dhe Sebastjan Lataj, pasi gjurmë biologjike i kanë dalë atyre në ngjarjen e rëndë të rrëmbimit dhe zhdukjes së Fatmir Sulovarit dhe Leonard Theodhorit.
Bëhet fjalë për mostra pështyme të fiksuara në disa bidona uji të gjetur në një banesë në Nivicë të Himarës, ku ishte fshehur makina tip “Benz” e përdorur në rrëmbimin e Leonard Theodhorit.