Ambasada e SHBA paralajmëron qytetarët amerikanë për protestën para Kuvendit: Shmangni zonat e tubimeve

Ambasada e SHBA paralajmëron qytetarët amerikanë për

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një njoftim sigurie për qytetarët amerikanë lidhur me protestën e planifikuar sot përpara Kuvendit të Shqipërisë. Në njoftim kërkohet shmangia e zonave ku zhvillohen tubimet dhe paralajmërohet për masa të shtuara sigurie, kufizime lëvizjeje dhe ndryshime të mundshme në situatë.

Sipas ambasadës, protesta është planifikuar të zhvillohet përpara ndërtesës së Kuvendit, në rrugën “George W. Bush”, ndërsa lidhet edhe me protestat e zhvilluara gjatë natës pranë Kryeministrisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Ambasada ka njoftuar se protesta të tjera mund të zhvillohen edhe në ditët në vijim. Në njoftim thuhet se edhe pse tubimet mund të nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt dhe protestat mund të përhapen edhe në zona të tjera pranë institucioneve qeveritare.

Për shkak të zhvillimeve të pritshme, ambasada paralajmëron për prani më të madhe të policisë, mbyllje rrugësh, devijime të qarkullimit dhe ndërprerje të trafikut para dhe gjatë protestave.

Personeli i qeverisë amerikane është këshilluar të shmangë zonat ku zhvillohen tubimet, ndërsa qytetarëve amerikanë u kërkohet të tregojnë kujdes dhe të ndjekin disa masa sigurie.

Në këshillat e publikuara, ambasada u kërkon qytetarëve të shmangin demonstratat, të jenë të vëmendshëm ndaj mjedisit përreth, të kufizojnë përdorimin e telefonit apo kufjeve në ambiente publike, të ndjekin mediat lokale për përditësime dhe të kenë një plan emergjence në rast nevoje.

Gjithashtu, qytetarëve amerikanë u rekomandohet të mbajnë profil të ulët dhe të shmangin tërheqjen e vëmendjes gjatë qëndrimit pranë zonave ku zhvillohen protestat.

EMISIONET