Katërshja "fantastike" e Gjykatës Kushtetuese
Ka një pyetje që prej kohësh në sistemin e drejtësisë kërkon përgjigje. Në cilin moment u shndërrua Gjykata Kushtetuese në GJKKO, Gjykatë Apeli dhe Gjykatë të Lartë, të gjitha njëherësh?
Kjo është pikërisht përshtypja që krijohet sa herë në derën e saj troket një dosje me peshë politike. Në teori, Gjykata Kushtetuese kontrollon vetëm nëse janë respektuar Kushtetuta dhe të drejtat themelore.
Nuk vlerëson prova. Nuk analizon fakte. Nuk vendos nëse ekziston dyshimi i arsyeshëm. Nuk zëvendëson gjyqtarët penalë. Në praktikë, të paktën në disa çështje me profil të lartë, duket se dikush nuk e ka lexuar këtë pjesë të Kushtetutës.
Kur çështja lidhet me Erion Veliajn, me SKY ECC apo me procese të tjera që prekin figurat më të fuqishme politike, papritur Gjykata Kushtetuese zbulon talente që as vetë ligjvënësi nuk ia ka njohur. Ajo nuk mjaftohet të kontrollojë Kushtetutën. Fillon të peshojë provat, të analizojë standardet e procedurës penale dhe të rivlerësojë punën e gjykatave të posaçme, sikur të ishte shkalla e katërt e gjykimit.
Në krye të këtij aktivizmi juridik shfaqen vazhdimisht të njëjtët emra: Sandër Beci, Gent Ibrahimi, Sonila Bejtja dhe Fiona Papajorgji. Të katërt pa asnjë përvojë në gjyqësor dhe të shantazhueshëm.
Askush nuk ua mohon të drejtën të kenë mendime juridike, por problemi fillon kur mendimi juridik zëvendëson Kushtetutën.
Kulmi u arrit kur në mendimin e pakicës Sonila Bejtja arriti në përfundimin se “dyshimi i arsyeshëm” duhet të provohet “tej çdo dyshimi të arsyeshëm” apo “nuk po bëj vlerësimin e provave edhe pse mund ta bëj”.
Nëse ky standard do të bëhej ligj, procedura penale shqiptare do të duhej të rishkruhej nga faqja e parë. Do të duhej që prokurori të provonte fajësinë përfundimtare të të pandehurit përpara se çështja të shkonte në gjyq. Me pak fjalë, gjykimi do të bëhej i panevojshëm, sepse gjithçka do të duhej të provohej para se gjykimi të fillonte.
Është e vështirë të imagjinohet një përmbysje më e madhe e logjikës së procedurës penale.
Ndërkohë, gjyqtarët e GJKKO-së, Apelit dhe Gjykatës së Lartë analizojnë mijëra faqe dosje, dëgjojnë palët, zhvillojnë seanca dhe marrin vendime të arsyetuara. Pastaj vjen Gjykata Kushtetuese dhe krijohet përshtypja sikur u thotë: “Faleminderit për mundin, tani do ta gjykojmë ne çështjen nga e para.”
Nëse ky është modeli i ri kushtetues, atëherë ndoshta duhet ta pranojmë hapur dhe të ndryshojmë edhe tekstin e Kushtetutës. Le të shkruajmë se Shqipëria ka katër shkallë gjykimi penal dhe se e katërta quhet Gjykatë Kushtetuese.
Por Kushtetuta nuk e thotë këtë. Ajo thotë krejt të kundërtën. Një gjykatë kushtetuese nuk matet me numrin e çështjeve ku ndërhyn.
Matet me aftësinë për të ditur se ku mbarojnë kompetencat e saj. Sepse kufiri më i rëndësishëm për një Gjykatë Kushtetuese nuk është ai që u vendos të tjerëve. Është ai që Kushtetuta i ka vendosur vetë asaj.
Dhe pikërisht ky kufi duket se është kapërcyer në disa nga çështjet më të rëndësishme politike të viteve të fundit. Kjo Gjykatë Kushtetuese ka harruar kufijtë e saj dhe në këtë rast nuk fiton drejtësia. Humb Kushtetuta. /CNA


